Barna ilegale, një i arrestuar

Inspektorati i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM), nga janari i këtij viti ka hasur në gjithsej 48 raste të barnave të paregjistruara, që kanë qarkulluar në tregun kosovar, pa banderola ose me banderola të Serbisë.

Lajme

24/09/2014 09:49

Së fundmi, pronari i dy barnatoreve “Dea”, njërës në Prishtinë e tjetrës në Drenas, E. Pajaziti, nga Komuna e Drenasit, është arrestuar të hënën, shkruan sot Koha Ditore.

Nën dyshimin për “prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore”, Pajaziti sipas njoftimit të policisë, me urdhër të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes.

Me këtë rast Policia e Kosovës ka njoftuar se i arrestuari mashkull, i lindur në vitin 1980, është pronar i të dy subjekteve farmaceutike ku janë gjetur barna ilegale.

“Gjatë inspektimeve të kryera në dy lokacionet është gjetur një sasi e konsiderueshme e produkteve, barnave të ndryshme pa të drejtë qarkullimi, barna me banderola, për të cilat barna inspektorët e AKPM-së kanë konstatuar se nuk kanë të drejtë të qarkullojnë ë Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Të gjitha produktet e gjetura si të dyshuara janë evidentuar dhe konfiskuar nga inspektorët e AKPM-së, ndërsa sipas udhëzimeve të prokurorit, i dyshuari në lidhje me rastin është dërguar në qendër të mbajtjes”, njofton më tej Policia e Kosovës.