Barcelona në çerekfinale, Man City në shtëpi

Barcelona mposhti Manchester Cityn edhe në ndeshjen e kthimit në Camp Nou dhe kaloi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Gjiganti katalan fitoi 2:1, dhe rezultatin e përgjithshëm 4:1. Dueli nisi menjëherë me polemika. Lionel Messi u rrëzua në zonë në një rast që lehtë ka mundur të akordohej penallti për vendasit, që më vonë…

Sport

12/03/2014 21:39

Barcelona mposhti Manchester Cityn edhe në ndeshjen e kthimit në Camp Nou dhe kaloi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Gjiganti katalan fitoi 2:1, dhe rezultatin e përgjithshëm 4:1. Dueli nisi menjëherë me polemika.

Lionel Messi u rrëzua në zonë në një rast që lehtë ka mundur të akordohej penallti për vendasit, që më vonë shënuan nëpërmjet sulmuesit Neymar, por goli padrejtësisht u anulua për pozitë jashtë loje.

Pjesa e parë nuk solli gola. Kurse, Messi ishte afër të realizojë por qëlloi shtyllën me një goditje nga brenda zonës në minutën e 52’të. Rezervisti i Cityt, Edin Dzeko kërcënoi me kokë vetëm një minutë më vonë por Victor Valdes e dëboi topin mbi portë.

Mirëpo, çështjen e kualifikimit për Barcelonën e vulosi Messi me golin e tij nga afërsia pas një lëshimi nga Joleon Lescott në mbrojtjen e Cityt, kur ylli argjentinas në mënyrë mjeshtërore e dërgoi topin mbi portierin Joe Hart.

Në vazhdim, mysafirët mbetën me dhjetë futbollistë pas përjashtimit të Pablo Zabaleta në minutën e 78’të për protestë ndaj vendimit të gjyqtarit që nuk akordoi penallti pas një ndërhyrje të Gerard Piques ndaj Dzekos.

Vincent Kompany barazoi rezultatin në minutën e 89’të, por njësoj sikurse në duelin e parë, Dani Alves shënoi në fund për fitoren e Barcelonës.

Kjo ishte e tëra, Barcelona shkon tutje në çerekfinale kurse City do të jetë vetëm spektatorë i fazës përfundimtare të Ligës së Kampionëve.