Barcelona: Adios Puyol

Barcelona përgatitet për dy ndeshjet vendimtare në garë për titull të kampionit në La Ligë, por edhe për lamtumirën e legjendës së klubit, qendërmbrojtësit Carles Puyol.

Sport

09/05/2014 18:30

Barcelona është duke u përgatitur për dy ndeshjet e ardhshme, vendimtare, në garë për titullin e kampionit në La Ligë. Por, jo vetëm kaq. Gjiganti katalan do t’i thotë lamtumirë një numri të futbollistëve që do të largohen nga klubi në përfundim të këtij sezoni, në mesin e tyre edhe kapiteni legjendar Carles Puyol.

Qendërmbrojtësi, ikonë e Barcelonës, ka paralajmëruar se do të largohet nga Camp Nou gjatë verës, por pa zbuluar ende hapat e tij të mëtutjeshëm nëse do të transferohet në ndonjë skuadër tjetër, ose të pensionohet për të nisur një rol të ri.

Si do që të jetë, Barcelona është duke përgatitur një lamtumirë të lavdishme për Puyolin, para duelit me Atletico Madridin në Camp Nou më 18 maj, në xhiron e fundit të La Ligës, kur edhe pritet të përcaktohet kampioni i ri i Spanjës.

I shoqëruar nga shokët, familjarët, stafi teknik, bashkëlojtarët e personalitete tjera, Puyol do të ketë mundësinë që të përshëndetet me të gjithë, si dhe tifozët e zjarrtë të Barcelonës që u krenuan me të për gjatë gjithë karrierës së deritashme, të cilën ai e kaloi si simbol i gjigantit katalan. Së bashku me Puyolin, Barcelona do të nderojë edhe portierin Victor Valdes, i cili po ashtu do të largohet nga klubi në verë.