Barça duhet ta shfrytëzojë rastin jetik

Dani Alves thotë se Barcelona duhet ta shfrytëzojë rastin ideal që e ka, për ta fituar titullin e kampionit në La Liga. Mbrojtësi brazilian shton se katalunasit duhet ta vërtetojnë në Camp Nou ndaj Atletico Madridit nëse e meritojnë titullin.

Sport

12/05/2014 12:42

Dani Alves i ka motivuar bashkëlojtarët, për të cilët thotë se duhet ta shfrytëzojnë mundësinë këtë javë, që ta fitojnë titullin e kampionit në La liga, duke e mposhtur Atletico Madridin në Camp Nou.

Katalunasit luajtën pa gola ndaj Elches të dielën, por fitorja ndaj Atleticos mund t’i shohë ata duke e ngritur lartë trofeun, vetëm falë dështimit të ekipit të Diego Simeones ndaj Malagas.

“Nëse ne vërtetë e meritojmë titullin, duhet ta vërtetojmë këtë kundër Atleticos. E kemi rastin ta fitojmë La Ligan”, deklaroi Alves për uebfaqen zyrtare të klubit.

“Duhet të japim gjithçka që kemi. Gjithçka ka ndodhur me ne këtë sezon, por e kemi edhe një rast në La Liga. Tash, ne duhet të fokusohemi tek Atletico”, vazhdoi ai.

“Është mjaft e vështirë t’i arrish objektivat. Fakti se asnjëri nga top klubet nuk fitoi të dielën, e bën më valid këtë sukses”, përfundoi mbrojtësi i djathtë brazilian.

Barcelona momentalisht ka tri pikë më pak se Atletico, por përballja direkte do të vendos gjithçka.