Barbarët serbë na rrahën, pastaj na përdhunuan, mua e tetë femra të tjera!

F. M. në vitin 1999 ishte vetëm 24 vjeçe dhe sapo ishte martuar kur paramilitarët serbë e dhunuan bashkë edhe me 8 vajza dhe gra të reja. Ishte kjo dita e mallkimit, që thotë se ia ndryshoi jetën përgjithmonë.

Lajme

17/03/2015 08:52

Paramilitarët i rrihnin dhe i dhunonin, pavarësisht lutjeve dhe britmave të tyre për të mos i prekur.

Edhe pse tani janë bërë 16 vjet që nga përfundimi i luftës, ajo ende nuk i ka harruar momentet e tmerrshme, të cilat i përjetoi gjatë asaj kohe.

F. M, nga një fshat i Vushtrrisë, ndonëse nuk dëshiron ta kujtojë atë kohë, prapë kur flet me dikë i duket sikur lehtësohet më shumë

“U mundova t’u ikja, por një e goditur më rrëzoi në tokë dhe kështu përjetova gjëra të tmerrshme”, tregon 40 vjeçarja në gazetën ‘Kosova Sot’.

“Në atë çast më shumë do të doja të ma shkrepte dikush një plumb e të vdisja”, shton ajo.

Sot ajo i ka dy fëmijë dhe është e lumtur me bashkëshortin, duke lënë prapa të kaluarën e hidhur, e cila ndodhi pa fajin e saj.

“Në fillim burri im e pati të vështirë të mësohej me këtë gjë. Madje unë e kisha menduar edhe ndarjen, mirëpo ai nuk deshi të ndahej dhe më kërkoi falje, më tha se do të më shikonte sikur nuk më ka ndodhur ajo gjë”, tregon 40 vjeçarja për kohën kur burri i saj e kishte mësuar se ajo ishte dhunuar nga paramilitarët serbë.

“Tani i kemi dy fëmijë dhe jam shumë e lumtur me të, por asnjëherë nuk do ta harroj atë ditë që më ndryshoi tërësisht jetën time”, thotë F.M., fatin e keq të së cilës e kanë pasur rreth 20 mijë femra të tjera shqiptare të Kosovës gjatë luftës, por ende asnjë serb, ushtar, polic apo paramilitar, nuk është dënuar deri më tani.