Barack Obama paralajmëron Rusinë ndaj veprimeve në Ukrainë

Presidenti Barack Obama paralajmëroi mbrëmë Rusinë se do të ketë kosto në rast se tenton të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë. Sipas Obamas, Rusia është e obliguar ta respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Bota

01/03/2014 08:02

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka paralajmëruar Rusinë se “do të ketë kosto” në rast të ndonjë manovre ushtarake të këtij shteti në Ukrainë.

Obama ka dalë mbrëmë para gazetarëve për ta shprehur shqetësimin e SHBA’ve rreth gjendjes në këtë vend pas përpjekjeve të Rusisë për t’i futur nën kontroll aeroportet në rajonin ukrainas të Krimesë, me shumicë ruse.

“Ne jemi thellësisht të brengosur nga raportet për lëvizje ushtarake të ndërmarra nga Federata Ruse brenda Ukrainës”, tha Presidenti Obama në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.

“Do të ishte shkelje e qartë e obligimeve të Rusisë për ta respektuar pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë e Ukraniës si dhe ligjet ndërkombëtare”, tha Presidenti Obama.

Ai shtoi se cdo shkelje e sovranitetit dhe integritetit terrotirial të Ukrainës do të ishte “destabilizuese” ndërsa paralajmëroi se “Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin komunitetin ndërkombëtar në qëndrimin se do të ketë kosto për ndonjë intervenim ushtarak në Ukrainë”.