Banorët e Bazhdarhanes kërkojnë furnizim të rregullt me ujë

Banorët e një pjese të lagjes Bazhdarhane kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me furnizimin jo të rregullt me ujë të pijes duke protestuar në mënyrë paqësore para objektit të Komunës së Prizrenit. 

Lajme

30/05/2016 15:58

 

Gjatë protestës, banorët kanë theksuar se furnizimi me ujë është e drejtë elementare njerëzore, nga e cila ata janë të privuar çdo gjysmë dite, për më shumë se një dekadë, përkundër kërkesave të adresuara në organet kompetente dhe takimeve të zhvilluara me përgjegjësit për zgjidhjen e këtij problemi.

Ndërkaq, një delegacion i përfaqësuesve të protestuesve janë takuar me drejtorin e Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit, Hasan Hasani, i cili ka shprehur gatishmërinë që ta diskutoj këtë shqetësim me banorët e lagjes. Sipas tij edhe pse furnizimi me ujë të pijes nuk është kompetencë e drejtpërdrejtë e Komunës së Prizrenit, megjithatë pushteti lokal do të organizoj një takim të përbashkët me banorët dhe zyrtarët e KRU Hidroregjionit Jugor për ta shqyrtuar këtë çështje.

Përfaqësuesit e protestuesve dhe të Komunës janë pajtuar që takimi i përbashkët me zyrtarët e Hidroregjionit Jugor të zhvillohet të enjten.

Pas dakordimit për mbajtjen e një takimi të përbashkët, protestuesit janë shpërndarë në mënyrë të qetë./lajmi.net