Banka Botërore vlerësoi reformat, përmirësohet klima e të bërit biznes

Sipas raportit të Bankës Botërore, i cili është bërë publik të mërkurën, Kosova është  ngritur në vendin e 75-të të “Të bërit biznes 2015”, që shënon një ngritje prej 51 vendesh që nga viti 2012, kur vendi ynë ishte i 126-i në ranglistë. 

Lajme

29/10/2014 10:54

Këtë sukses e ka komentuar menjëherë edhe kryeministri Hashim Thaçi, duke thënë se kjo dëshmon sërish për suksesin e reformave liberalizuese të Qeverisë së Kosovës.

Në një postim të tijin në profilin e tij në Facebook, kryeministri ka thënë se Kosova do të vazhdojë edhe në të ardhmen që të ndërmerr ato reforma apo politika që të përmirësohet edhe mëtej klima e të bërit biznes.

Lexojeni postimin e plotë të kryeministrit Thaçi në profilin e tij në Facebook:

Raporti vjetor i “Të Bërit Biznes 2015”, i sapodalë nga Banka Botërore, dëshmon sërish për sukesesin e reformave liberalizuese të qeverisë sonë, sepse tregon që Kosova ka përmirësuar renditjen me 6 vende duke arritur sivjet vendin e 75-të.

Zhvillimi i ekonomisë së Kosovës lidhet drejtpërdrejtë me ndërtimin e një klime sa më të përshtatshme për të nxitur investimet dhe lehtësuar bërjen e biznesit prandaj ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen që të ndërmarrim ato reforma apo politika që të përmirësojmë mëtej këtë klimë. HTH