Banka Botërore: Kosova me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon

Një raport i Bankës Botërore për rimëkëmbjen e gjashtë vendeve të Europës Juglindore (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi, Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë) thotë se Kosova ishte vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike.

Lajme

26/05/2014 20:57

Në anën tjetër, ky raport flet se Serbia mbetet vendi me rritjen më të ngadalshme ekonomike në rajon.

Rritja në Kosovë, sipas BB-së, në vitin 2013 ishte 3.0 përqind, përkatësisht 0.8 për qind më e lartë se rritja mesatare e gjashtë vendeve të rajonit.

Në vitin 2014 Kosova pritet vazhdojë të ketë rritjen më të lartë në rajon, me 3.5 për qind, që pritet të nxitet nga ndërtimtaria, shërbimet dhe turizmi.

“Nivelet e eksporteve të Malit të Zi dhe Kosovës në tregjet e Europës Juglindore u rritën”, kurse metalet bazë në Kosovë përfaqësojnë 25 për qind të eksportit të përgjithshëm.

Të hyrat nga investimet direkte të huaja u rritën dhe u drejtuan në projektet infrastrukturore, si Aeroporti i Prishtinës dhe hidrocentralet e Kosovës, vazhdon raporti i BB-së.

Një indikator tjetër pozitiv për ekonominë e Kosovës është niveli i ulët i borxhit të jashtëm të përgjithshëm publik dhe privat. Përderisa Mali Zi ka nivelin e borxhit prej gati 120 për qind të bruto produktit vendor, niveli i Kosovës është rreth 10 për qind, që është 50 për qind nën nivelin e kriterit të Traktatit të Maastricht-it.

Megjithë indikatorët pozitivë ekonomik, Kosova mbetet vendi me nivelin më të lartë të papunësisë në rajon, me 30.9 për qind. Vendi i dytë me papunësinë më të lartë është Maqedonia, me 28.8, kurse Shqipëria konsiderohet me nivelin më të ulët të papunësisë prej 16.1 për qind.