Bandat shqiptare prijnë në Gjermani

Bandat shqiptare në Gjermani thuhet se kanë rritur mjaft pasigurinë e qytetarëve në këtë shtet. 

Bota

02/10/2014 19:03

Sipas një raporti mbi kriminalitetin e organizuar në Gjermani, bandat shqiptare renditen ndër të parat. Raporti vëren gjithashtu se në Gjermani po rritet gjithnjë e më shumë aktiviteti i bandave kriminale, të cilat janë mjaft mirë të organizuara me lidhje jashtë këtij vendi.

“Këto banda janë aktive jo vetëm si trafikantë apo shantazhues e kontrabandistë, por ato janë të organizuara edhe në vjedhjen e makinave, mashtrimet dhe vjedhjen e dyqaneve,” citon raporti.

Bandat me lidhje në Shqipëri renditen ndër të parat me kriminalitetit të organizuar në Gjermani. Përderisa, bandat polake dhe lituaneze janë të specializuara për vjedhjen e makinave dhe dërgimin e tyre në vendet e lindjes, bandat nga Shqipëria bëjnë emër në shitjen e drogës. Ndërsa bandat nga ish-vendet sovjetike bien në sy për vjedhje dyqanesh.

Sipas raportit për kriminalitetin e organizuar të prezantuar këtë të mërkurë nga ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere në Berlin bandat kriminale komandohen drejt nga Polonia, Lituania dhe Shqipëria.

De Maiziere ka pranuar se luftimi i kriminalitetit nuk është optimal dhe kjo për arsye të “ndërlidhjeve të kriminalitetit të organizuar deri në aparatin shtetëror”. Pikërisht për shkak të këtyre lidhjeve të pushtetit me kriminalitetin shpesh personat përgjegjës në Shqipëri duhet të kenë guxim të madh personal nëse luftojnë krimin e organizuar, ka thënë ministri i brendshëm gjerman.

Ky problem duhet të preket edhe në bisedimet e anëtarësimit me Serbinë, ka kërkuar ai. Si shembuj bashkëpunimi ai lëvdoi Poloninë dhe Italinë. Nga viti i kaluar numri i të dyshuarve për krime në lidhje me kriminalitetin e organizuar në Gjermani është rritur me 15%, transmeton Kosovapress.