Bananja e Alvesit kushton 12 mijë euro

Federata e Futbollit të Spanjës ka gjobitur Villarrealin me 12 mijë euro, pas bananes së hedhur nga një tifoz i tyre në drejtim të mbrojtësit Dani Alves, gjatë ndeshjes kundër Barcelonës, muajin e kaluar.

Sport

07/05/2014 18:26

Villarreal është gjobitur me 12 mijë euro nga Federata e Futbollit të Spanjës për bananen e hedhur nga një tifoz në drejtim të mbrojtësit të Barcelonës, Dani Alves, gjatë duelit të muajit të shkuar në El Madrigal, në kuadër të La Ligës, ka njoftuar klubi të mërkurën.

Ndëshkimi vjen pas përkrahjes së gjerë nga figura të njohura për mbrojtësin brazilian i cili e mori atë, e qëroi dhe e kafshoi, derisa ishte duke u përgatitur të ekzekutonte një goditje nga këndi gjatë takimit të 27 prillit. Villarreal reagoi shpejt duke e identifikuar tifozin dhe dënuar atë përjetë.

Por, klubi nuk i ka shpëtuar gjobës nga Federata derisa futbolli spanjoll synon të pastrojë imazhin e tij.

Në fundjavë, u shfaqën akuza të reja të racizmit pas ankesës nga mesfushori i Levantes, Papakouly Diop për tifozët e Atletico Madridit.

“Ne e pranojmë gjobën prej 12 mijë eurosh”, deklaroi një zëdhënës i Villarrealit për Reuters. “Federata është ndarë e kënaqur nga reagimi i shpejtë dhe pozitiv i klubit që e identifikoi tifozin”.