Ban: Sfidë integrimi i gjykatave në kornizën ligjore të Kosovës

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, u ka dërguar raportin për zhvillimet tremujore në Kosovë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit për të cilin do të debatojnë më 27 maj, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, siç pritet kësaj radhe në nivel të ministrave të jashtëm.

Lajme

06/05/2014 09:57

Raporti përfshin periudhën e zhvillimeve tremujore nga 21 janar deri më 15 prill ndërsa presidencën për këtë muaj në Këshillin e Sigurimit e ka Republika e Koresë.

 Sekretari pasi jep një kronologji të zhvillimeve, në observimet e tij e vlerëson pjesëmarrjen aktive të Prishtinës dhe Beogradit në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi dhe zgjedhjeve që pritet të mbahen në Kosovë.

\”Është e domosdoshme që progresi të vazhdojë me intensitet në drejtim të zbatimit të plotë të marrëveshjes të 19 prillit 2013\”, shkruan Ban, ndërsa përmend disa sfida për zbatimin e marrëveshjes si themelimi i Asociacionit të komunave serbe dhe integrimi i gjykatave paralele serbe në kornizën ligjore të Kosovës.

Ai nënvizon se angazhimi i Bashkimit Evropian mbetet qenësor për progresin e mëtejshëm në normalizimin e marrëdhënieve ndërsa si shpërblim të këtij bashkëpunimi përmend fillimin bisedimeve të Serbisë dhe negociatat e Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në për të nënvizuar siç thotë ‘ishte pikërisht dialogu që ua hapi rrugën e integrimit evropian.

Sekretari Ban thekson edhe rëndësinë e vazhdimin e mandatit të EULEX-it sepse ‘forcimi i rendit dhe ligjit është një sfidë afatgjate dhe përmirësimi i performancës në këtë fushë mbetet një shqetësim i vazhdueshëm si për Kosovën ashtu dhe për bashkësinë ndërkombëtare. /RTK/