Ban kërkon krijimin e Gjykatës Speciale

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që më së largu në fillim të vitit të ardhshëm ta funksionalizojnë Gjykatën Speciale, e cila do të merret me krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajme

13/08/2014 11:49

Në raportin e tij të fundit mbi situatën në Kosovë, gjatë periudhës 16 prill-15 korrik, Ban flet edhe për situatën politike në vend, veçmas në veri të Mitrovicës pas ngritjes së tensioneve shkaku i ndërtimit të “Parkut të paqes” mbi urën e lumit Ibër.

Megjithëse zyrtarë të OKB-së kanë thënë se mbledhja e Këshillit të Sigurimit, ku do të diskutohet mbi raportin, do të mbahet më 25 gusht, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se ende nuk ka një datë zyrtare.

Raportit prej 26 faqeve të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së i janë bashkëngjitur edhe dy aneks raporte.

Bëhet fjalë për raportin e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, mbi aktivitetet e misionit të EULEX-it në Kosovë, si dhe raportin e kryeprokurorit Clint Williamson për hetimet e kryera nga Task Forca Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së. /rtk/