Balotelli: Të gjithë duhet t’i frikësohen Italisë

Mario Balotelli po e shijon në maksimum fitoren e Italisë ndaj Anglisë. Sulmuesi italian, i cili e realizoi golin e fitores, thotë se të gjitha ekipet e Botërorit kanë arsye t’i frikësohen ekipit Azzurri.

Sport

15/06/2014 10:50

Mario Balotelli e ka paralajmëruar pjesën tjetër të ekipeve të Botërorit se duhet të kenë frikë nga Italia, pas fitores së kësaj të fundit ndaj Anglisë, të shtunën pas mesnate.

Azzurri udhëhoqën ndaj ekipit të Roy Hodgson falë golit të Claudio Marchisiosm por Daniel Sturridge i nivelizoi shifrat shumë shpejtë.

Sidoqoftë, Balotelli e shfrytëzoi mjaft mirë një harkim të Antonio Candrevas, për t’ia siguruar fitoren ekipit të Cesare Prandellit.

“Është një emocion i madh për mua, nuk kam luajtur kurrë në Botëror”, deklaroi 23 vjeçari për Sky Sport.

“Ia dedikoj golin gruas sime të re, familjes, që ishte në tribunë dhe të gjithë miqve të mi”, vazhdoi sulmuesi i Milanit.

“Do të shkojmë hap pas hapi nga këtu, Anglia ka ekip të mirë. Luajtëm mirë. Të gjitha ekipet janë të forta dhe duhet t’i respektojmë, por tash edhe ato kanë arsye të frikësohen nga ne”, përfundoi Balotelli.