Balotelli në rrezik

Paraqitjet e zbehta dhe nervozizmi i tepruar mund t’i kushtojnë shtrenjtë Mario Balotellit. Selektori i Italisë, Cesare Prandelli është duke konsideruar mundësinë e angazhimit të Antonio Cassanos në vend të yllit të Milanit, në formacionin bazë në Botëror.

Sport

01/05/2014 10:08

Nuk ka paqe për Mario Balotellin, tani problemi quhet Kombëtarja.

Milan ka vështirësi të menaxhoj sulmuesin dhe kjo i prish planet e selektorit Cesare Prandelli i cili planifikonte të mbështetej tek ai për Kampionatin botëror në Brazil.

Paraqitja e zbehtë në humbjen 2:0 nga Roma në fundjavën e shkuar, kundërshtimi ndaj trajnerit Clarence Seedorf në momentin e zëvendësimit, dhe përplasja me analistët në televizionin Sky pas ndeshjes, kanë detyruar Prandellin të rishqyrtojë pozicionin.

Tani për tani, Prandelli mendon që të inkuadrojë Antonio Cassanon, në pozitën e qendërsulmuesit të rremë. Balotelli nuk besohet se do të mbetet pa u ftuar në Botëror, por statusi i titullarit është në dyshim.

Gazzetta dello Sport raporton se Prandelli është duke shqyrtuar planin B që parasheh Cassanon në qendër të sulmit.

Përveç tij, kandidatë të tjerë janë edhe Ciro Immobile, Mattia Destro, por edhe Daniel Osvaldo, edhe pse së fundmi ka luajtur pak në Juventus.

Italia ka nevojë për Balotellin e Euro 2012, por tani për tani, ai është larg nga forma e atëhershme, dhe duket mjaft nervoz në fushë dhe jashtë saj.