Balotazhi në Gostivar, Taravari: Ka nisur përkrahja ndaj meje

Kandidati për kryetar komune në Gostivar, Arben Taravari procesin e djeshëm zgjedhor e vlerësoi si korrekt me çka njoftoi se tashmë kanë nisur përkrahjet për të për rrethin e dytë zgjedhor

Lajme

16/10/2017 14:40

“Gjatë procesit të djeshëm zgjedhor kishte disa parregullsi por që në përgjithësi, në krahasim me zgjedhjet e mëhershme, këto zgjedhje kanë qenë korrekte. Publikisht tashmë ka dalë kandidati i BESA-s duke kërkuar që të votohet për mua por edhe një pjesë e anëtarëve të RDK-së më janë paraqitur se do të më përkrahin”, tha për Portalb.mk, Taravari.

Përndryshe, sot në mëngjes për Arben Taravarin në rrethin e dytë zgjedhor ka kërkuar vota kandidati i Lëvizjes BESA, Asaf Ademi. Mbështetja e Ademit vjen si rezultat i trimufit opozitar në Komunën e Gostivarit.

Ndryshe, Arben Taravari në rrethin e dytë zgjedhor do të përballet me kandidatin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Nevzat Bejta. Balotazhi i 29 tetorit vjen si rezultat i votimit të djeshëm të gostivarasve, të cilët në llogari të Bejtës vendosën 12.095 vota apo rreth 35.55%, kurse për Taravarin u numëruan 11.600 vota apo 34.10% e qytetarëve.