Ballina e “The Sun” që tërboi kolumbianët

Teksa Santiago Eskobar bënte thirrje që Kolumbia të luante me të njëjtin shpirt të vëllait të tij Andres për të ndihmuar Kolumbinë që të kalonte pengesën angleze në 1/8-at, shtypi kolumbian i kërkoi skuadrës një përgjigje në fushën e lojës për t’i mbyllur gojën kolegëve ishullorë që kishin nisur provokimet.

Sport

04/07/2018 17:40

Dhe mbi të gjitha “The Sun”-it, që në faqen e parë të tabloidit ditën e ndeshjes, bënte një lojë fjalësh jo shumë elegante në lidhje me rivalët e tyre të djeshëm. Në një artikull që përmblidhte të gjitha gjërat që Kolumbia i ka dhënë botës (nga Shakira deri te kafeja dhe kokaina), titulli i faqes së parë lexonte “Go Kane”. Në pamje të parë duket se është thjesht një mesazh inkurajimi për kapitenin e tyre “Forca Kejn” dhe nuk ka asgjë anormale përse të xhindoseshin amerikano-jugorët. Por, pikërisht këtu qëndron edhe loja e fjalëve që në Britani janë specialistë dhe dinë ta bëjnë më mirë se kushdo tjetër.

Sepse “Go Kane” dhe “Cocaine” (Kokaina) kanë pak a shumë të njëjtin shqiptim në anglisht. “Është një titull i paedukatë”, reagoi televizioni “Caracol TV”, ndërkohë që gazeta “El Espectador” i shtonte tonet kërcënuese: “Përgjigja e Kolumbisë do të jetë në fushë”. Edhe ambasadori i Kolumbisë në Londër u ankua pas kësaj fyerjeje.