Bale, ky është klubi ku do të luajë në sezonin e ri

Gareth Bale nuk do të largohet nga Real Madrid pas përfundimit të këtij sezoni.

Sport

25/02/2016 15:00

Gareth Bale nuk do të largohet nga Reali i Madridit. Konfirmimi erdhi nga menaxheri i lojtarit, Jonathan Barnett. Përfaqësuesi i sulmuesit nga Uellsi reagoi pas lajmeve të publikuara nga gazeta AS, se drejtuesit në Santiago Bernabeu kanë vendosur ta shesin futbollistin në fund të sezonit.

Por, sipas menaxherit Barnett spekulimet rreth së ardhmes së Bale janë “histori të pabazuara, të publikuara nga persona të papërgjegjshëm dhe të keqinformuar”.

Por, sipas mediave madrilene, situata e Gareth Bale te Reali nuk është ndër më të mirat. Drejtuesit e klubit nuk janë të kënaqur me rendimentin e futbollistit, kundër të cilit janë edhe statistikat.

Uellsiani i kushton 750 mijë euro në ndeshje Realit të Madridit, por ai është thuajse gjithmonë i dëmtuar. Për shkak të problemeve të shumta fizike, gjatë këtij sezoni ish-lojtari i Tottenham ka luajtur vetëm 44 për qind të minutave në dispozicion, përcjell “Supersport.al”.

Lojtari vijon të mbetet jashtë ekipit i dëmtuar dhe pavarësisht progresit të shfaqur gjatë kësaj jave, nuk do të rikuperohet në kohë për derbin e së shtunës ndaj Atleticos së Madridit.

Kjo është arsyeja përse Los Blancos po mendojnë të shfrytëzojnë faktin që interesimi për Gareth Bale nuk mungon, mbi të gjitha në Premier League-n angleze.

Në krye të listës është Manchester United dhe me shitjen e Bale, në Madrid do të siguronin fonde që do të investoheshin më pas në merkato, ku objektivat kryesor për sezonin e ardhshëm mbeten mesfushori i Juventusit, Paul Pogba dhe sulmuesi i Bayern Munchen, Robert Lewandowski.