Balaj shpërdoron fanellën e titullarit, Sadiku dopietë për formacionin

Në rolin e arbitrit, Panuçi lejoi lojë të rëndë, ndërsa kërkonte ritëm të lartë nga lojtarët.

Sport

23/03/2018 11:45

Pas pesë seancash për gatitore, Panuçi e ka parë të arsyeshme të analizonte punën e këtyre ditëve, duke organizuar një ndeshje kontrolli mes grupit.

Seanca e pasdites së djeshme i është dedikuar pikërisht kësaj ndeshjeje, ku lojtarët dhanë maksimumin për t’i bërë përshtypje “bossi-t”, i cili me një fytyrë të vrenjtur qëndronte në anë të fushës dhe kërkonte llogari pas çdo gabimi. Italiani në përgjithësi ngeli i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve, ndërsa në rastet e golave u tërhoqi vëmendjen mbrojtësve për “naivitetin” e treguar.

Në rolin e arbitrit, Panuçi lejoi lojë të rëndë, ndërsa kërkonte ritëm të lartë nga lojtarët. “Shpejtshpejt, ndërroje!”, ishin disa prej shprehjeve të italianit, i cili duket se tashmë ka krijuar një ide rreth gjendjes së të gjithë lojtarëve që ka thirrur për këtë miqësore me Norvegjinë. “Askush s’e ka vendin të sigurt”, mësohet t’u jetë drejtuar Panuçi lojtarëve, të cilët gjatë ndeshjes e vuanin sa herë që bënin gabim.

NDESHJA E KONTROLLIT – Ashtu sikurse ishte parashikuar, trajneri Panuçi e shfrytëzoi seancën e pasdites së djeshme stërvitore për të organizuar një ndeshje kontrolli, me qëllim që të kuptonte deri në çfarë faze kishte mbërritur puna e këtyre ditëve. Italiani e ndau grupin në dy skuadra, ku në ekipin e titullarëve u rreshtuan Strakosha në portë dhe në qendër të mbrojtjes dyshja Mavraj-Gjimshiti, ndërsa në të djathtë Hysaj e në të majtë Lenjani.

Ekipi A

Në mesfushë u rreshtuan treshja Qaka-Ramadani-Xhaka. Ndërsa sulmi përbëhej nga Grezda në të djathtë, Balaj në qendër dhe Roshi në krahun e majtë, me një skemë sulmuese 4-3-3. Ndërkohë që në krahun tjetër, duke e konsideruar formacionin e dytë, u rreshtuan: Hoxha në portë, Prenga dhe Ajeti në qendër të mbrojtjes të mbështetur nga Aliji në të majtë dhe Bujar Lika në krahun e djathtë. Në mesfushë, Lilaj në qendër dhe Lila në të djathë e Abazaj në të majtë, ndërsa në sulm, Sadiku në të majtë, Cikalleshi në qendër dhe Gavazaj në krahun e djathtë.

Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 0-1 në favor të rezervave, ku shënoi Sadiku. Por në pjesë të dytë, Panuçi ua hoqi fanellën e titullarit Balajt duke ia veshur Sadikut, Lenjanit për Alijin, Hysajt për Likën dhe Ramadanit për Lilajn. Në pjesën e dytë barazoi Roshi për titullarët, kalon sërish në avantazh Gavazaj për rezervat dhe barazon Sadiku për titullarët. Bomberi që duket se ka hedhur një hap të sigurt drejt titullarit shënoi dy gola, një me skuadrën e titullarëve dhe një me skuadrën e rezervave. Gjatë pjesës së dytë, Panuçi largoi Abazajn për Latifin.

TITULLARËT – Trajneri i Kombëtares ka krijuar një ide, por ka disa dilema për të kompletuar 11 titullarët. Ajeti me Gjimshitin në qendër të mbrojtjes si dhe Lilaj me Ramadanin për në qendër të mesfushës, janë balotazhet për ndeshjen e së hënës, ndërkohë që duket se Ramadani dhe Gjimshiti janë një hap para. Italiani, gjatë ndeshjes së kontrollit, i përzjeu disa herë kartat si për të testuar gjithkënd për formacionin titullar.

KRITIKAT – Në përfundim të pjesës së parë, Panuçi u kërkoi mesfushorëve Xhaka, Lilaj dhe Qaka të jenë më të shpejtë dhe të sigurt në veprime. Gjithashtu, italiani i kërkoi llogari Naser Alijit në rastin e golit të Gavazajt, pasi sipas tij, mbrojtësi nuk ishte pozicionuar mirë.

Duke mos u mjaftuar me kritikat e momentit, italiani është ndalur në fushë me mbrojtësin për disa minuta edhe në përfundim të pjesës së parë, për t’i shpjeguar gabimin me një ton të lartë. Sakaq, në fundin e ndeshjes Panuçi përgëzoi Sadikun, ku sigurisht i dha edhe orientime.