Baksi: Rinia e sotme t’i kthejë sytë kah folklori

Tri ditë më parë ka dalë nga shtypi libri “Rapsodët e trojeve shqiptare”, vëllimi i dytë. Për të folur për këtë libër i ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) ishte Shaban Baksi, autor i librit.

ShowBiz

17/08/2017 09:54

Ai ka bërë me dije se në pjesën e parë të vëllimit të dytë ka shkruar për rapsodinë ne përgjithësi, për rapsodinë mbarëkombëtare, pastaj ka përmbledhur një biografi të rapsodëve të trojeve shqiptare. “Me iniciativë kam filluar t’i përfshij rapsodët të cilët e kanë kultivuar këngën e mirëfilltë shqipe dhe kanë kontribuar në çështjen e folklorit. Pra, kam shkruar për ata që nuk janë në mesin tonë, por edhe për ata që sot këndojnë. Deri më tash kam arritur t’i përgatis tetë vëllime, por deri më tash kanë dalë nga shtypi këta dy vëllime. Shumë shpejt pritet të dalin edhe vëllimet e tjerë”, ka thënë Baksi, duke shtuar se në këta vëllime ka përmbledhur informacion për rreth dy mijë rapsodë dhe se për realizimin e tyre i kanë ndihmuar edhe disa rapsodë të viseve të ndryshme shqiptare.

“Vëllimi i dytë përmban edhe fotografi të instrumenteve, edhe emrat e mjeshtërve që i prodhojnë këto instrumente, siç janë Shaqir Hoti, Sallah Shabani”, ka treguar Baksi, duke kërkuar nga rinia t’i kthejë sytë dhe veshët nga muzika folklorike sepse, sipas tij, “folklori është i begatshëm dhe duhet të përcillet nëpër breza”. Ai ka thënë se dikur kënga folklorike këndohej në dasma shumë, kurse sot nëpër pak dasma këndohet folklor në sofër të dasmave, krejt dy-tri këngë.

Ndër të tjera, Baksi ka thënë se karrierën e rapsodit e ka filluar me Hashim Shalën, duke vazhduar me Tahir Drenicën, pastaj me Qamilin e vogël, nga të cilët ka mësuar shumë rreth këndimit dhe secili prej tyre i ka lënë mbresa të mëdha edhe për këndim, edhe për rënie të instrumenteve muzikore.