Bajrami nuk garanton për asnjë deputet të LDK-së lidhur me votat ndaj PAN-it

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami e ka fajësuar ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli për siç thotë ajo, trazirat që u bënë në Kuvend në legjislaturën e kaluar.

Lajme

27/07/2017 11:06

Bajrami pas regjistrimit sot në Kuvend, shtoi se pret që kjo legjislaturë të ketë dallim të madh me legjislaturën e kaluar, raporton AktivPress.

“Duhet të ketë llogaridhënie nga qeveria por të mos pengohet për punë”, tha ajo.

Bajrami përsërti qëndrimin e LDK-së se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të ardhshëm të Kuvendit.

“Ne si koalicion kemi një jo të madhe për Veselin, për të tjerët ne si koalicion LAA do të diskutojmë.  Veseli i lejoi trazirat në Kuvendin e Kosovës. Ai ka qenë iniciatori për rrëzimin e qeverisë Mustafa”, tha Bajrami.

Sipas saj, vet zvarritja deri më datë 3 gusht e seancës konstituive, “lë dyshime që koalicioni PAN nuk i kanë numrat sot e kësaj dite.”

Bajrami ndër të tjerash shtoi se nuk ka pasur asnjë kontakt me kolegen e saj Teuta Rugovën në lidhje me zhvillimet e fundit.

“Nuk mund të garantoj për asnjë deputet. Të gjithë ata do të pastrojnë emrin e tyre nga spekultimet më 3 gusht.

Nuk kam pas kontakt me Teuta Rugovën,ajo do të jap përgjigjen e saktë më 3 gusht”, përfundoi Bajrami.