Bajram Rexhepi refuzon të flasë për gjyqin e humbur në rastin e pasaportave

Ish-ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi ka thënë se nuk do që të komentojë më për ngjarjet politike.

Lajme

28/07/2016 19:51

Rexhepi ka thënë se është larguar nga politika dhe se nuk merret më me çështjet që lidhen me politikën.

“Mos më kontaktoni më se jam larguar nga politika dhe nuk merrem me këto çështje”, është përgjigjur Rexhepi, kur i është kërkuar të komentojë deklaratën e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit ka thënë se për 5 milionët që Kosova duhet t`i paguajë në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris për pasaportat biometrike, duhet të përgjigjen Skënder Hyseni dhe Bajram Rexhepi.

Ai ka thënë se ky është dënimi i radhës që qeveritarët aktualë po i bëjnë qytetarëve të Kosovës.

Ministri i tanishëm në MPB, Skënder Hyseni, është kontaktuar nga Indeksonline, por ai ka refuzuar të flaës duke e ndërprerë thirrjen.

Gjykata e Arbitrazhit në Paris ka vendosur që Kosova duhet t`i paguajë 5 milionë euro borxh për pasaportat biometrike një kompanie austriake.

Kjo, sepse është bërë shkelje ligjore duke ia vonuar pagesat kësaj kompanie. Ndërkohë, borxhi duhet të paguhet në afat prej 14 ditësh.