Bahtiri thotë se BE po shpërndan fonde vetëm në veri

Agim Bahtiri ka akuzuar zyrën BE-së në Kosovës, se po e diskriminon pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës, nga grandet. 

Lajme

24/12/2014 12:38

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka reaguar lidhur me ndarjen e granteve në vlerë prej 8.5 milionë euro për veriun e Mitrovicës, duke thënë se jugu i këtij qyteti është lënë anash.

Ai  përmes një reagimi, ka thënë se e mbështet ndihem për pjesën veriore, por është kundër asaj që pjesa tjetër e qytetit po anashkalohet.

Bahtiri ka bërë të ditur se Mitrovica ka qenë një ndër komunat më të dëmtuara gjatë luftës në Kosovës dhe është përballur me probleme të shumta.

“Zyra e BE-së në Kosovë, është dashur ta përfshijë edhe Komunën e Mitrovicës në ndarjen e grandeve të saja për zhvillim, gjë që do të nënkuptonte se kjo zyrë i kushton rëndësi të njëjtë dhe të barabartë zhvillimit të tërë rajonit të veriut të Kosovës, e jo vetëm të pjesës së banuar me serbë”.

“Unë jam në kontakt të përditshëm me qytetarë dhe ata mi kanë thënë vërejtjet e tyre lidhur më një vendim të këtillë të Zyrës së BE-së në Kosovë, duke e konsideruar atë si jo shumë të qëlluar, aq më tepër kur dihet se komunat me popullatë shumicë serbe në veri të Kosovës nuk kanë qenë në asnjë mënyrë të diskriminuara nga institucionet e Kosovës dhe as nga BE-ja dhe organizatat tjera ndërkombëtare”.

“Unë me këtë rast kërkoi nga Zyra e BE-së në Kosovë, që mundësisht të korrigjojnë vendimin e tyre dhe që të përfshijnë edhe Komunën e Mitrovicës në skemën e ndarjes së këtyre grandeve tash dhe në të ardhmen”.

“Nuk kam asgjë kundër vendimit të Zyrës së BE-së për ndarjen e grandeve për komunat që administrohen nga serbët ne veri të Republikës së Kosovës. Përkundrazi, e mbështes këtë vendim dhe mendoj se grandet e dedikuara për zhvillimin e tyre janë të mirëseardhura dhe do të kontribuojnë në konsolidimin dhe integrimin e tyre të plotë në kuadër të sistemit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera në reagimin e tij, Bahtiri.