Bahtiri sërish thotë se “Parku i Paqes” do të largohet shumë shpejtë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në javët e para të zgjedhjes së tij kryetar kishte paralajmëruar heqjen e “Parkut të Paqes”. Edhe pse ai kishte kërcënuar se do të mund të ndodhë dicka e madhe nëse ajo barrikadë nuk largohet nga ty, “parku” nuk ishte larguar, dhe asgjë e madhe nuk kishte ndodhur. 

Lajme

13/12/2014 19:17

Bahtiri, që nuk i ka problem premtimet e mëdha, sërish premton se “Parku i Paqes” do të largohet shumë shpejtë.

U quajt ‘park i paqes’ e atëkohë u tha se në fakt ishin strukturat paralele dhe ato të Beogradit, që e bënë këtë sepse parku nuk ishte vullnet i serbëve të Mitrovicës Veriore. Për të u diskutua edhe në Bruksel nga delegacionet kosovare dhe serbe, e marrëveshja ishte që ajo të largohet nga aty dhe ura të kthehej në gjendjen e mëparshme, përmes një projekti të BE-së, raporton KTV.

Por, studimi i fizibilitetit që iu bë urës nuk kishte kujt t’i prezantohej, për shkak të moskrijimit të institucioneve.

Tani, kryetari i Mitrovicës së Jugut, që ishte pjesë e atyre bisedimeve, thotë se largimi i parkut do të bëhet shumë shpejt, pa dashur të thotë kohën e saktë.

Një nga asambleistët e paktë shqiptarë në Mitrovicën Veriore, tregon se pavarësisht bisedimeve të shumta, ata ende nuk dinë se kur do të mundësohet lëvizja e lirë.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ia kishte tërhequr vërejtjen kryetarit Goran Rakiq, duke i thënë se parku ishte ilegal. Me këtë veprim, kryetari i Mitrovicës Veriore kishte shkelur Kushtetutën, marrëveshjen e Brukselit dhe 5 ligje të Kosovës.

Por, tani punët në këtë ministri do të vështirësohen, me ardhjen në krye të saj të Lubomir Mariq nga Lista Serbe, e cila ka probleme me njohjen e shtetit dhe ligjeve të Kosovës.

Për të ashtuquajturin “Parku i paqes” ka folur edhe drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq. Ai i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve Beta se së pari duhet të bëhet vlerësimi teknik i Urës dhe kryetarët e komunave duhet ë merren vesh për zgjidhjen që do t’i kënaqte të gjithë qytetarët.

Ai ka njoftuar se si në prag të themelimit të Qeverisë së re të Kosovës ka biseduar me zyrtarë të Prishtinës por nuk ka dashur të tregojë se kush ka qenë ai duke u arsyetuar se nuk dëshiron që bashkëbiseduesin ta vë në situatë të pakëndshme.

“Dëshiroj të theksoj se është sukses i madh që krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është pika numër një e marrëveshjes qeverisëse në të cilën bazohet Qeveria në Prishtinë”, ka deklaruar Gjuriq. 

Sipas tij me marrëveshjen e koalicionit, parashihet që Kisha Ortodokse serbe të gëzojë pavarësi të plotë në punën e saj dhe t’i kthehet pasuria e marrë. Gjuriq ka thënë se është koha që në Kosovë në qytetet me shumicë serbe gjykatës dhe prokurorë të jenë serbët.

Sa i përket formimit të Ushtrisë së Kosovës ai ka thënë se kjo bie ndesh me Marrëveshjen e Kumanovës.