Bahtiri nuk heq dorë nga ideja për bashkim të Mitrovicës, bën thirrje për peticion

Pavarësisht se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka kthyer përgjigje negative, kryetari i pjesës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri vazhdon të këmbëngul me idenë e tij për bashkimin e Mitrovicës.

Lajme

20/12/2018 11:49

Kryetari i Komunës së pjesës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri po vazhdon të këmbëngul mbi idenë e tij për bashkimin e Mitrovicës, pavarësisht se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka kthyer përgjigje negative, shkruan lajmi.net.

Përmes një njoftimi për media, Komuna e Mitrovicës së jugut ka bërë të ditur se kreu i kësaj komune, Bahtiri iu ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në një tryezë në përbashkët që pritet të mbahet nesër me fillim prej orës 10:00, në të cilën do të iniciohen procedurat e peticionit për bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

Njoftimi i plotë i Komunës pa ndërhyrje:

Kuvendi Komunal i Mitrovicës me datën 30.11.2018 ka miratuar konkluzionin me të me të cilin i është propozuar Qeverisë së Kosovës inicimi i procedurës për ndryshim të ligjit Nr./ L-041 për kufijtë administrativ të komunave, me qëllim të bashkimit të Mitrovicës ku me këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka lejuar që konkluzioni i miratuar të delegohet tek institucionet qendrore duke e konsideruar si jo legjitime.

Andaj kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, personaliteteve të shquara dhe medieve të marrin pjesë në një tryezë të përbashkët me datën 21.12. 2018 në ora 10:00 në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, me ç’rast do të iniciohen procedurat e peticionit për bashkimin e qytetit të Mitrovicës. /Lajmi.net/