Bahtiri: LDK dëshiron t’i bashkohet PAN-it, s’mund të qëndrojmë gjatë në këtë pozicion

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Agim Bahtiri ka thënë se deklarata e tij e mëhershme se nuk do të pritet LDK-ja deri në pafundësi është nxjerr nga konteksti, pasi ai thotë se vazhdon të qëndroj kundër bashkimit me koalicionin PDK-AAK-Nisma (PAN).

Lajme

12/08/2017 23:25

Bahtiri përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka thënë  gjithashtu se është i papranueshëm pozicioni i LDK-së, pasi sipas tij, kjo parti po dëshiron që të mos formohen institucionet deri pas zgjedhjeve lokale, e pastaj ta përsërit skenarin e 2014-së duke iu bashkuar PAN-it.

“Dikush po dëshiron që deklaratat e mia t’i nxjerrë prej kontekstit, por qendrimi im është i njohur se nuk duhet t’i bashkohemi koalicionit PAN. Mirëpo, është i papranueshëm pozicioni i LDK-së, sepse kjo parti po dëshiron që të mos formohen institucionet deri pas zgjedhjeve lokale, e pastaj ta përsërit skenarin e 2014-së duke iu bashkuar PAN-it”, ka shkruar Bahtiri, transmeton lajmi.net

Ai më tej, ka ftuar LDK-në dhe Vetëvendosjen që të nënshkruajnë marrëveshje. Ai ka thënë e AKR ka qëndruar besnike në marrëveshje, por se nuk mund të qëndrojnë gjatë në këtë pozicion.

“E ftoj LDK-në që të bashkohet me VV-në dhe të nënshkruajmë një marrëveshje, ku duke i mbledhur së bashku 61 nënshkrime, do t’i drejtoheshim edhe Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese, nëse është e nevojshme. Pra, AKR-ja gjithmonë ka luajtur rol kontruktiv dhe është besnike e marrëveshjeve, por nuk mund të qendrojmë gjatë në këtë pozicion”, ka përfunduar Bahtiri. /Lajmi.net/