Bahtiri kërkon park industrial për më shumë punësime

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtri, ka dorëzuar një aplikacion në MTI, për shpalljen e një zone ekonomike, në të cilën parashihet ndërtimi i një parku industrial. Hapësira ku parashihet të ndërtohet ky park është 44 hektarë, dhe do të kushtoj një milion euro.

Lajme

31/03/2014 14:11

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka dorëzuar të hënën një aplikacion në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shpalljen e një zone ekonomike ku parashihet ndërtimi i  një Parku Industrial në qytetin e Mitrovicës.

Bahtiri ka thënë se pjesa ku komuna planifikon që ta ndërtoj këtë park ka një hapësirë prej 44 hektarë, dhe vlera e ndërtimit të tij, është afër një milion euro.

Ndërkaq, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, ka thënë se do të përkrahin Komunën e Mitrovicës, për këtë projekt me të gjitha mundësit që kanë.

Bahtiri, i cili gjatë fushatës për kryetar të Mitrovicës, kishte premtuar shumë vende pune, ka thënë se ka nevojë për krijimin e zonave ekonomike, që të punësoj sa më shumë veta.

“Sot ne kemi pru aplikacionin për të shpallë këtë zonë ekonomike, ju e dini se unë kam premtua shumë vende pune dhe pa zona ekonomike na nuk mund ta bëjë gjithë atë investim, për t’i punësuar gjithë ata njerëz dhe kjo më mundëson  më lirshëm  të veproj”.

“Bëhet fjalë 44 hektarë e cila do të shpallet zonë e ekonomike dhe do të kenë qasje të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë në këtë zonë që të jenë të liruar në disa taksa që janë të parapara me ligj”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka thënë se mjetet për këtë projekt që kushton afër 1 milion euro, do ti kërkojnë edhe nga Qeveria e Kosovës .

Ndërkaq, ministri  Nikaj ka thënë se shumë shpjetë do të kthejnë përgjigje dhe se do të përkrahin me aq sa munden në këtë projekt.

Ai ka përmendur parkun në Drenas, si shembull të mirë që mund të tërheq investitorë të huaj.

“Dëshiroj ta përmendi Parkun e Biznesin në Drenas, i cili pas sfidave që ka pas gjatë viteve, tani është një shembull se si një zonë ekonomike mund të tërheq kompani prodhuese,  mund të tërheq investitor të huaj”, ka thënë Nikaj.