Bahtiri: Çdo ndryshim i kufijve na kthen mbrapa shumë vite
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi gaboi që shkoi në Ujman me forca speciale.
Lajme
Bahtiri në RTV Dukagjini ka thënë se “ajo pjesë është tokë e jona dhe jemi në shtetin tonë”.
“Ishte dashtë të shkojë në mënyrë normale, sepse nuk ka arsye askush të kërcënoj kryetarin e shtetit të vizitojë territorin e vet. Presidenti është i lirë të vizitojë çdo pëllëmbë të shtetit”.
I pari i Mitrovicës ka thënë se sa më shumë rëndësi i jepet një vizite të tillë, u shtohet publiciteti grupeve atje se “janë dikushi”.
“Sa më shumë rëndësi që i jep ndonjë vizite të tillë, dhe shkon me njësi speciale atje, atyre (serbëve) u duket se janë dikushi, sepse vetëm me një arsenal të tillë mundet me shkue dikush atje”, tha ai.
Duke folur për vizitën e tij në Ujman dhe reagimeve që kishte kryeministri Haradinaj, Bahtiri tha se problemi nuk është te Ujmani, por kishte disa probleme me kryetarin e Mitrovicës së veriut.
“Unë e garantojë kryeministrin Haradinaj se nuk do të ndodhë asgjë në veri pas vizitës time dhe nuk do të ketë asnjë protestë”.
Sa i përket idesë së presidentit Thaçi për korrektim të kufijve, Bahtiri tha se kjo është shumë e rrezikshme dhe është në dëm të Kosovës.
“Me këta kufij na kanë njohur 115 vende të ndryshme të botës. Çdo ndryshim i kufijve qoftë edhe një metër katrorë na kthen mbrapa shumë vite”.
Lojëra fëmijësh, i ka quajtur ndër të tjera nënkryetari i AKR-së deklaratat e Thaçit se Kosova merr luginën e Preshevës dhe nuk jep asgjë Serbisë.
“Të thuhet se ne dëshirojmë të marrim luginën e Preshevës e nuk do të japim asgjë, është një lojë fëmijësh”.