Babaxhani i Filologjisë që na çau zemrat në fundjavë – Lajmi.net
Babaxhani i Filologjisë që na çau zemrat në fundjavë
Autori: Berat Armagedoni Op-EdOpinion 14:14, 15 January 2018
Pos familjes së profesor Basri Çapriqit, bashkëshortes së tij, Sazanës dhe dy fëmijëve të tyre, Bindit dhe Bulzës, ngushëllime të sinqerta u shpreh edhe profesor Ibrahim Berishës dhe Sali Bashotës, veçanërisht profesor Milazim Krasniqit, i cili ka kohë që, prej kur Basriu nuk ishte mirë me shëndet dhe sëmundja i përparonte më shpejt sesa që hove-hove bënte mirë, interesohej shumë për gjendjen shëndetësore të tij dhe kërkonte ndihmë e shpëtim për të. Kështu që, edhe këta tre shokë do ta ndiejnë mungesën Basriut sa herë që shkelin në dyert e Fakultetit të Filologjisë, do ta ndiejnë mungesën e tij sa herë që shëtisin në sheshet e Prishtinës në mesditë ose në mbrëmje, do ta ndiejnë mungesën e tij sa herë që do të marrin rrugë më të gjatë jashtë Prishtinës e Kosovës. Ngushëllime u shpreh edhe kolegëve dhe studentëve të tij, të cilët disa e kanë në mendje, disa në zemër e disa në libra fotografinë, biografinë dhe gjuhën e tij poetike dhe studimore

Fakultetit të Filologjisë ia pata çelur dyert në vitin akademik 2002/2003. Në atë vit, jo shumë të largët, u pata regjistruar në Departamentin e Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare. Në vitin e parë të studimeve kishim këto dhjetë lëndë: Folklor krahasimtar, Letërsi shqipe, Letërsi e përgjithshme, Gjuhë shqipe, Teori e letërsisë, Letërsi krahasimtare, Informatikë, Gjuhë italiane, Gjuhësi e përgjithshme, Publicistikë letrare. Këto lëndë na i ligjëronin këta dhjetë profesorë: Sadri Fetiu, Sali Bashota, Abdullah Karjagdiu, Isa Bajçinca, Rexhep Shala, Masar Stavileci, Rahmil Limai, Gani Hoxha, Sedat Kuçi, Ibrahim Berisha. Dy prej këtyre (Masar Stavileci dhe Isa Bajçinca) më nuk rrojnë.

Në vitin e dytë të studimeve na u shtuan edhe dhjetë lëndë të tjera, të cilat na i ligjëronin shtatë profesorë. Për Stilistikë (në vitin e dytë) dhe për Strukturalizëm (në vitin e tretë) na ligjëronte profesor Basri Çapriqi, figurën dhe fizikun e të cilit i njihja kohë më parë sepse profesor Çapriqin e kisha parë duke ndenjur dhe shëtitur me profesor Milazim Krasniqin, Ibrahim Berishën, Sali Bashotën, në Prishtinë. Me shumicën e kolegëve e dinim kush ishte Basriu, e dinim edhe çfarë kishte shkruar dhe botuar, edhe çfarë do të na ligjëronte. Dhe ai kurrë nuk ndodhte të mungonte në ligjërata. Kurrë nuk ndodhte të sillej keq me studentët as para kohës së provimit, as pas mbajtjes së provimit. Ishte i kujdesshëm në shprehje dhe llogaridhënës për secilën fjalë. Kurrë nuk ndodhte të kushtëzonte studente ose student për notë për asnjë punë, për asnjë hatërmbetje. Vinte na ligjëronte për të shënjuarin dhe për shënjuesin, për shenjën dhe për kodin gjuhësor dhe ikte. Vinte na pyeste, na notonte dhe ikte. Ishte njeri babaxhan edhe në dukje fizike, edhe më babaxhan po qe se rrije me të e bëje bisedë për çfarëdo që të interesonte ty të dije për letërsinë, për librat dhe për jetën e tij.

Me profesor Basriun nuk kam ndenjur aq shumë sa kam ndenjur me tre shokët më të ngushtë të tij: me profesor Milazimin (që kohët e fundit s’e hiqte emrin Basri nga goja), me Ibrahimin dhe me Saliun. Por, në ato pak ndenja që kishim, kam biseduar shumë lirshëm edhe me të. Të fundmen bisedë me të e kisha në Facebook më datë 14. 9. 2017. Atë ditë i dërgova, me mesazh të këtij rrjeti social, një faksimile të një interviste që kishte dhënë në gazetën Rilindja në vitet 1980. I dërgova edhe dy faksimile të tjera: njëra që përmbante tri poezi të tij, tjetra që përmbante një recension me një përzgjedhje poezish të Basriut nga Milazim Krasniqi. U mallëngjye shumë për ato shkrime dhe për atë kohë, por edhe më lajmëroi se nuk është bash mirë me shëndet, e që po pret të bëjë më mirë. Dy muaj më pas, më 6. 11. 2017, po nëpërmjet këtij mediumi shoqëror e njoftova se po publikoj revistën Akademia, se do të më nderonte po qe se do të më dërgonte ndonjë tekst për botim. Asnjë përgjigje nuk mora prej tij deri mbrëmë, kur mora lajmin për vdekjen e tij kur, po ashtu, Facebook-u ma kujtonte ditëlindjen e tij në ditëvdekjen e tij.

Edhe pse vdekja është proces i natyrshëm, ashtu sikurse lindja, në moshën 58-vjeçare është shumë herët të shkëputet njeriu nga kjo botë, nga gruaja dhe nga dy fëmijët, nga kolegët, shokët, studentët e kush jo tjetër që e deshi. Megjithatë, pa dëshirën e tij dhe tonën, Basriu u nda nga ne të dielën, por ne tash e tutje, në shenjë kujtimi dhe homazhi për të, jo vetëm sot, por për jetë e mot, mund ta lexojmë veprën e tij në gjuhën shqipe, angleze, franceze, gjermane, romane, poloneze, serbokroate, turqishte, arabishte, maqedonishte etj. Ai shkroi dhe botoi libra me poezi dhe libra me studime. Për shumë libra të vet, nga shoqata, asociacione, institucione, iu dhanë edhe çmime kryesore, me motivacione të ndryshme, po kryesisht për arritje të mëdha në fushën e letërsisë.

Ndjesë pastë!

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO