Babai i Mujë Krasniqit: E harruan amanetin e Jasharajve, u intereson biznesi

“Nuk janë duke e realizuar as punën e Adem Jasharit e as amanetin e tij dhe të shokëve të tjerë që kanë dhënë jetën për liri. Këta po vrapojnë pas biznesit e partive”, thotë babai i heroit Mujë Krasniqi.  

Lajme

28/11/2014 21:10

Këtë mendim e ka Halil Krasniqi, për Rexhep Selimin e Daut Haradinajn. Këta dy të fundit bashkë me Mujën, djalin e plakut, ishin ata që dolën për herë të parë publikisht si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997.

Krasniqi është zhgënjyer edhe me liderët tjerë të ish UÇK-së, për të cilët thotë se nuk bënë gjë për familjen e tij. “Sot isha aty, i kam dërguar dy lule, mbrëmë 4-5 flamuj te kulla në vendlindje, ndërtimin e së cilës ma kanë lënë në gjysmë. E kanë nis Rexhep Selimi, Daut Haradinaj, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj”, thotë ai.

Babai i dy dëshmorëve, thotë se është pishman që i lejoi djemtë e tij të shkojnë në luftë. “Po ta dija që jemi të tillë e bëjmë kështu, po të mundja nuk do t’i lejoja që të shkonin në luftë”. (KlanKosova)