Aziz Salihu: Ju lutem, mos më lini të vetëm

Aziz Salihu ndien se shteti i Kosovës e ka harruar duke e lënë vetë. Legjenda e boksit shqiptar thotë se kur ishte sëmurë krejt Kosova ishte ngritur në këmbë, kurse pas kthimit nga Turqia njerëzit ia kthyen sërish shpinën.

Sport

24/05/2017 12:04

Ai shpreson t’i jepet një pozitë në Komitetin Olimpik ose në Federatën e Boksit pasi konsideron se e meriton një të tillë. E vlerëson veten sportistin më të madh dhe kërkon respekt meritor, të cilin tash për tash shpreson ta gjejë te kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Aziz Salihu vazhdon të brengoset për tretmanin që po ia bën shteti i Kosovës. Legjenda e boksit shqiptar ka mbetur i zhgënjyer me të gjithë, duke u nisur nga institucionet e vendit, partitë politike, Ministrinë e Sportit, Komitetin Olimpik, por edhe nga federatat sportive, të cilët ia mbyllën dyert dhe nuk po e përkrahin.

“Zizi” thotë se kur ishte keq në spital të gjithë i afroheshin, ndërsa pas rikthimit nga Turqia, ku qëndroi disa muaj për t’u shëruar, ia kthyen shpinën të gjithë.

Duke u konsideruar si legjendë e gjallë ai konsideron se ka merituar më shumë respekt dhe ndihmë nga vendi, të cilit i solli shumë gëzime dhe suksese gjatë karrierës së tij të lavdishme.

“Jam shumë i demoralizuar, sëmundja e fundit më ka ardhur nga nervozizmi, më shëtisnin, më rrenin, më tradhtonin. Në rrugë më përqafonin e ma punonin prapa shpinës. Kam mbetur i zhgënjyer nga Qeveria, Ministria e Sportit e me radhë”, thotë fillimisht Salihu për “Zërin”.

“Kur kam qenë i sëmurë, çka kanë bërë njerëzit pas meje jam befasuar. Populli bëri gjithçka për mua. Më shëndoshi Zoti, populli dhe familja ime. Këta tre më kanë shpëtuar. Por, më pas ndryshoi gjithçka për të keq. Kam qenë në kontroll së fundmi, shkova në Qeveri për 25 ditë duke i pritur partitë për të më ndihmuar, hip e zbrit shkallëve, më premtuan ndihmë LDK-ja dhe PDK-ja, më kanë shëtitur andej-këndej dhe kot. Është marre t’u thuash parti. PDK-ja m’i dha 200 euro që më erdhi marre t’i merrja. Nuk u ra ndërmend të më ndihmonin. Shkova në Turqi dhe nuk kisha para, por shyqyr mu gjetën shqiptarët që më duan”, rrëfen momentet e vështira Salihu.

“Zizi”: Para luftës kishte vend për mua, në çlirim jo!

“Zizi” e kujton periudhën kur ishte njëri nga formuesit e sportit të pavarur të Kosovës në vitin 1999, kur edhe e kishte bashkëthemeluar Komitetin Olimpik të Kosovës, Federatën e Boksit dhe atë të Kick-Boksit. Por nuk e kishte menduar se do t’i kthehej aq keq pasluftës.

“Unë kam qenë në udhëheqje të sportit në kohën e okupimit, por nuk e kam menduar që në kohën e çlirimit unë të lihem kështu anash dhe askund. Kam punuar për Republikën e Kosovës. Kam marrë shumë mirënjohje në atë kohë”, shton ai.

“Zizi” e ka kujtuar edhe kohën e lavdishme kur ua kishte kthyer përkohësisht gëzimin dhe buzëqeshjen në fytyrë kosovarëve, të cilët vuanin nga situata e rëndë politike.

“Gjithmonë sillja diçka në Kosovë. Kam bërë që populli ynë të kënaqet, Kosova të kënaqet. Të marrësh pjesë tri herë në Olimpiadë në sportin e boksit nuk është pak. Në të tria radhët kam merituar medalje, por më është bërë padrejtësi nga referët dhe m’i kanë marrë medaljet nga duart. Serbët mundoheshin të bënin kampionë serbë e jo mua, që isha shqiptar”, nënvizoi ai.

Azizi: Po e përshëndetni veç Majlindën, e mua?!

Kohëve të fundit Majlinda Kelmendi po konsiderohet si sportistja më e madhe në histori të Kosovës. Mirëpo “Zizin” po e pengon ky epitet pasi e sheh veten si të pakonkurrencë në këtë aspekt.

“Kur po dalin në manifestime një-dy e përshëndesin Majlindën. Unë po çuditem, kjo është marre. Ku është Aziz Salihu? Tri herë në Olimpiadë, në një sport të cilin krejt bota e çmon. Tri herë të shkosh në Olimpiadë në atë konkurrencë…! Duhet ta dimë se njeriu që i ka më shumë se 100 kilogramë dhe merr pjesë në një sport si boksi e ka vlerën më të madhe. Killazha 50 me 120 sa kam boksuar unë… Ajo e ka emrin e vet, por jo dikush të më lërë prapa mua. E dinë të gjithë kush jam dhe çfarë kam bërë. Azizi është Aziz. Me mua dalin në fotografi 100-200 njerëz në ditë”, insiston Salihu, i cili tregon se ka organizuar qindra turne në kohërat më të vështira, kur edhe ishte rrahur dhe maltretuar, e në fund nuk ka marrë ndonjë letër apo diplomë nga shteti.

Shpresat te Ramushi

Salihu ka mbetur i zhgënjyer me udhëheqësitë e deritashme të Kosovës. Tash krejt shpresat i ka fokusuar tek kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili është kandidat për t’u bërë kryeministër i Kosovës.

“Ramushin e dua shumë si njeri. Në politikë të vetmin e çmoj atë, ai është numër 1. Ka kontribuuar shumë për Kosovën. Jam gëzuar shumë për të, e meriton ai. Si të bëhet kryeministër besoj se Ramushi do të më ndihmoj, jam i sëmurë, ndoshta edhe nesër vdes, por ishalla ky popull shkon në rrugë të drejtë. Ai më çmon dhe ma di rëndësinë”, shton ish-boksieri prishtinas.

Sipas tij, njerëzit që udhëheqin sot me sportin kosovar nuk vlejnë aspak. Në KOK thotë se “janë do hajna e banditë dhe baraba. Gjynah është nga kush udhëhiqet KOK-u”.

Sa u përket ministrave të deritashëm të Sportit ai thotë se ndoshta e kanë kryer punën e tyre si duhet, por i fajëson këshilltarët e tyre që, sipas tij, i mësojnë gabim, i mashtrojnë dhe ua punojnë pas shpinës. “Zizi” mendon se sporti kosovar udhëhiqet nga njerëzit që, ose i ka vdekur dikush në luftë, ose kanë hyrë me forcë apo me të njohshëm.

Drejtor ose selektor

Në fund Salihu tregon se ku do ta gjente më së miri veten nëse i ofrohen pozitat që i do. Ai nuk ngurron të tregojë se veten në të ardhmen e sheh në Komitet Olimpik ose në Federatën e Boksit.

“Në KOK mund ta kryeja mjaft mirë rolin e drejtorit, pasi nuk ka një të tillë. Ndërsa, në Federatën e Boksit mund të bëhem drejtor, punëtor sportiv apo edhe selektor. Ata duhet të më afrojnë. Shpresoj që kjo garniturë e re që vjen në udhëheqje të shtetit do të më ndihmoj. Kur të vdes dua të them faleminderit Zotit dhe atyre që iu ra ndërmend dhe e shpërblyen dhe e ndihmuan Aziz Salihun”, shprehet Salihu, që thotë se ka shpenzuar mijëra euro nga xhepi i tij për të organizuar turne pa asnjë përfitim.

Atë e brengos edhe fakti se boksierët më të mirë të Kosovës po largohen nga vendi të zhgënjyer me kushtet. Ai shpreson që sportistët e dikurshëm të vihen në krye të sportit kosovar dhe bashkërisht të punohet për të shkuar përpara.