Aziz Abrashi, atdhedashës e punëtor i pashoq

I shquar për atdhedashuri, ndershmëri, mik dhe bashkëpunëtor i çmueshëm e i sinqertë, punëtor i pashoq, i njohur edhe si njeri që dha kontribut për lirinë, zhvillimin ekonomik, si dhe pavarësimin e ekonomisë së Kosovës nga ajo e Serbisë.

Lajme

09/07/2014 22:15

Kështu u vlerësua figura e të ndjerit Aziz Abrashi nga bashkëpunëtorë e miq të tij, në mbledhjen komemorative. I Ndjeri Abrashi, i cili ka ndërruar jetë dje, ishte drejtor i kombinatit “ Trepça” dhe ish-sekretar i Ekonomisë së Kosovës.

Si raporton KosovaPress, Pajazit Nushi vlerësoi se Abrashi ishte shembull për gjithë miqtë, shokët e bashkëpunëtorët.

Ai tha se vlerat që i pati Abrashi e kanë lartësuar personalitetin e të ndjerit, kudo që ai ka jetuar dhe vepruar.

Burhan Kavaja, bashkëpunëtor i tij për shumë vite në Trepçë, tha se Abrashi ishte shok i çmueshëm dhe shumë i sinqertë. Tha se me angazhimin e tij Abrashi arriti ta krijojë pavarësinë absolute ekonomike të Kosovës prej Serbisë.

Disa fjalë në kujtim të Aziz Abrashit, i tha edhe Muhamet Aliu, nga shoqata “Minatori 88-89”, i cili u shpreh se lajmi për vdekjen e Abrashit i lëndoi zemrat e minatorëve të kombinatit Trepça, të cilët nuk do ta harrojnë shokun vëllanë dhe udhërrëfyesin e tyre.

Në këtë mbledhje komemorative u lexua edhe telegrami ngushëllues i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila shkruan se i ndjeri Abrashi ka dhënë kontribut për lirinë e Kosovës dhe për dekada ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin ekonomik, si dhe në përparimin e proceseve demokratike në vend.

Abrashi, së bashku me Azem Vllasin, Burhan Kavajën, Ibush Jonuzin, Mensur Fejzën, Avdi Llukën dhe 9 minatorë të tjerë, qenë burgosur dhe ndaj tyre qe organizuar një proces i montuar gjyqësor-politik në Mitrovicë, ku pati qëndruar për 14 muaj në burg.