Azil jashtë vendit kanë kërkuar 14 mijë kosovarë

Ideja e ikjes nga Kosova ka qenë temë shumë e diskutueshme këto ditë në Kosovë. Shumica e të rinjve interesohen rreth mundësive të migrimit ilegal. 

Lajme

10/12/2014 22:26

Madje, si raporton KTV, haptazi nisen me autobusë, duke marrë me vete edhe familjet, me shpresën se do të gjejnë jetë më të mirë.

Këtë gjendje të krijuar e tregojnë më së miri statistikat në rritje të numrit të azilkërkuesve në vende të ndryshme të BE-së. Vetëm këtë vit, numri i atyre të cilët kanë kërkuar leje qëndrimi në këto vende ka arritur shifrën e 14 mijë vetave.

Sipas Valon Krasniqit, drejtor në MPB, kjo shifër është tejet shqetësuese për vendin, derisa thotë se është edhe një numër jashtëzakonisht i madh i atyre të cilët nuk janë lajmëruar për azil dhe janë nëpër kampe të ndryshme.

Vendi i cili prin për kërkesat më të shumta për azil është Hungaria, e pasuar nga Franca, Gjermania, Suedia etj.

Krasniqi thotë se për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve, autoritet e këtyre vendeve janë detyruar që shumë shpejt të marrin vendim për përshpejtimin e procedurës së shqyrtimit të kërkesave të tyre.

Këtë shumë shpejt pritet ta bëjë shteti gjerman.

Por, sipas zyrtarëve, një gjë është e sigurt: askush nuk mund të pajiset me leje qëndrimi apo letra të këtyre vendeve, pasi Kosova nuk përmbush asnjë nga kriteret që kërkohen për leje azili. Ndërsa, Policia Kufitare ka shtuar masat e kontrollit muajt e fundit, në mënyrë që të parandalohet ikja masive e shumë të rinjve. (KTV)