Azemi: Fitimi i kompanisë çmohet më shumë se jeta e punëtorit

Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës gjatë ditëve të fundit që mbretëruan temperaturat e larta, ka bërë inspektimin e disa kompanive, lidhur me gjendjen reale të punëtorëve në sektorin privat.

Lajme

04/07/2017 15:34

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, ka reaguar duke thënë se gjatë vikendit të fundit kur temperaturat arritën në 40 gradë celsius, punëtorët e ndërtimtarisë punonin pa asnjë mbrojtje.

Madje sipas Azemit, punëtorët e sektorit privat punonin pa kontrata pune.

Reagimi i Azemit:

“Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës me datë 01.07.2017 ka bërë inspektimin e disa kompanive, lidhur me gjendjen reale të punëtorëve në sektorin privat.

Çka pamë atë ditë kur ishte ditë vikendi dhe temperaturat ishin 40 gradë celsius. Ishte më e tmerrshmja kur punëtorët në godinën 20 katshe te “Lakrishtja” në 40 gradë celsius punonin pa asnjë mbrojtje në punë, nuk kishin as mbrojtjen e tyre personale, veshja e tyre të çonte mendjen se ata janë në plazh, e jo në ndertës 20 katërshe.

Të gjithë këta punëtorë që ne kontaktuam ishin nga Shqipëria me asnjë kontratë pune. Aty u bindëm se ne nuk kemi shtet të mirëfilltë.

Në hapësirat ku duhet vendosur ashensorët, ato ishin të hapura pa asnjë mbrojtje. Të gjitha këto që ne i themi i kemi të dokumentuara edhe nga ekipi i Klan Kosovës, që i kishim dëshmitar të këtij inspektimi.

Pyesim a ekziston ndonjë mekanizëm që së pakut duhet ruajtur shëndetin e atyre punëtorëve, edhe pse edhe ne si sindikata kemi përgjegjësitë tona. Për mos inspektimin e këtyre vendpunishteve jemi të bindur se ekziston rrjet mafioz, pasi që vetëm në këtë ndërtesë takuam  rreth 30 punëtorë pa asnjë dokument.

Atë çka e pamë atë ditë mos e pafsha as në vendet më të skajshme të Afrikës. Me këtë u bindën se sistemi kriminalistik në këtë sektor është më i fort se ai shtetëror, kuptohet me bekimin e këtij të dytit.

Jusuf  Azemi  – kryetar

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës”.