Azemi: 150 mijë punojnë pa kontrata, buxheti humb 50 milionë euro

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) e vlerëson alarmante gjendjen e punëtorëve në sektorin privat.

Lajme

16/09/2017 13:19

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, në një konferencë për gazetarë, tha se janë më shumë se 150 mijë punëtorë në Kosovë që janë pa kontrata pune. Sipas tij, buxheti i Kosovës do të rritej për 50 milionë euro nëse do të paguheshin kontributet për këta punëtorë nga kompanitë private.

“Gjendja e punëtorëve në sektorin privat është alarmante, sepse asnjë qeveri nuk e ka dhënë kontributin që këtyre punëtorëve t’iu lehtësohet barra”, ka thënë Jusufi.

Me këtë rast, Azemi numëroi disa nga problemet kryesore me të cilat përballen punëtorët e sektorit privat, si mungesa e kushteve dhe e sigurisë në punë, orari i stërzgjatur, pagat e ulëta etj.

“Duam të njoftojmë institucionet se në Kosovë janë 150 mijë punëtore që punojnë pa kontratë pune. Meqë kryeministri ka thënë se dua të punoj atëherë ne jemi të gatshëm të punojmë sepse për këtë numër të punëtorëve, Kosova po humb me mijëra euro nga buxheti i saj”, tha Jusufi, raporton Ekonomia Online.

Duke e lidhur këtë temë me migrimet që u tha, para disa ditësh, se kanë rinisur, Jusufi tha se me këtë papunësi e kushte të këqija për ata që punojnë, nuk ka si të ndalet eksodi i të rinjve.

Ndërpritet greva e punëtorëve teknikë në shkollat e kryeqytetit

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat njoftoi se është ndërprerë greva katërditore e punëtorëve teknikë të disa shkollave në Prishtinë.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, bëri të ditur se punëtorët tashmë janë paguar për punën që kanë bërë.

Ai tha se fajtor për mospagesën e punëtorëve nuk ka qenë kompania MSS, mirëpo Komuna e Prishtinës e cila nuk i ka transferuar mjetet për pagesën e punëtorëve.