Azem Syla heq dorë nga posti i deputetit

Azem Syla ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës. Ai thotë se këtë po e bënë për arsye personale.

Lajme

09/07/2014 15:07

Ish-komandanti i Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, AzemSyla për mes një deklarate ka njoftuar se për arsye personale do të tërhiqet nga pozita e deputetit në Kuvendin e Kosovës. Ai ka falënderuar të gjithë ata që e votuan. Vendin e tij, si deputet pritet ta zë Nait Hasani, për të cilën gjë Syla thotë se ndihet krenar.

 Deklaratën e plotë të Azem Sylës:

Populli i Kosovës tregoi një pjekuri të lart politike në zgjedhjet e 8 Qershorit dhe këto zgjedhje u vlerësuan si zgjedhjet më të mira dhe më të suksesshme në periudhën e pasluftës në Kosovë, edhe nga partitë politike në Kosovë, nga Bashkimi Evropian, SHBA-të si dhe nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe vendore.

Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës që prapë me votën e tyre përcaktuan fituesin e zgjedhjeve të 8 qershorit, Partinë Demokratike të Kosovës, si parti të vlerave e cila do ta udhëheq Qeverinë e Republikës së Kosovës edhe për mandatin e tretë duke i dhënë mundësinë ta implementojë Misionin e ri për i cili ka për qellim zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Dëshiroj të falënderoj strukturat drejtuese (Kryesinë dhe Këshillin drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës) për besimin që më kanë dhënë dhe t’i informoj ata që prapë do të jem aktiv në jetën politike si anëtar i Kryesisë së PDK-së duke kontribuar në krijimin e politikave të kësaj partie, politika të cilat do ta përmirësojnë jetën për të gjithë qytetarët e vendit.

Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës, ju falënderoj nga zemra që më dhatë besimin Tuaj edhe në këto zgjedhje që Unë të ri-zgjidhem deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por sot nëpërmjet kësaj deklarate publike ju informoj që për arsye personale do të tërhiqem nga pozita e deputetit në Kuvendin e Kosovës.

Ndihem mirë që pas tërheqjes time nga pozita e deputetit, në Kuvend do të futet një personalitet me vlera të larta kombëtare dhe politike.