Azem Syla edhe disa ditë në QKUK

Avokati mbrojtës i ish deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, është duke i përgatitur dy lloj të ankesave pas vendimit për riarresim të Sylës dhe shqiptim të masës së paraburgimit prej dy muajsh.

Lajme

27/09/2016 08:10

Avokati Tomë Gashi, ka deklaruar në emisionin “Kontakt” të Tribuna Channel se njëra ankesë është duke u përgatitur për Gjykatën Supreme të Kosovës, për shkak se e kemi vendimin e parë dhe vendimin e dytë diametralisht të kundërt dhe është një kërkesë që është duke u përgatitur e që do t’i dorëzohet gjyqtares së procedurës paraprake.

Ai ka folur edhe për personin që kishte renë në kontakt me dëshmitarin D, e që sipas tij është edhe shok i dëshmitarit, por që e mohon kategorikisht që klienti i tij ka tentuar të ndikojë në ndonjërin prej dëshmitarëve në rastin e quajtur ‘Toka’.

Gashi ka thënë se seanca e radhës do të mbahet me 28 dhe 29 të këtij muaji dhe shpreson që klienti i tij do të paraqitet në to.

Ndërsa duke i komentuar raportet e medieve elektronike se Azem Syla po qëndron në QKUK dhe jo në paraburgim, Gashi është përgjigjur se e vërteta e gjithë kësaj është që gjatë periudhës sa ka qenë i lirë Azem Syla, ka pasur kontrolle shëndetësore të zakonshme.

“Sylës i është preferuar nga ana e mjekësve që të qëndrojë për disa ditë në QKUK dhe aty do të ndodhet edhe për disa ditë, por me datën 28 shtator me siguri që do të jetë i gatshëm të vij në seancë”, ka thënë avokati Gashi.

Kurse duke folur për Gjykatën Speciale ai ka thënë se kjo gjykatë do ta njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo pastrimin e saj.