Axos i shqetësuar për PTK’në

Drejtori i Konzorciumit ‘Axos & Najafi’, Robert Woog, thotë për lajmi.net se është i shqetësuar me vonesat lidhur me përfundimin e procesit të privatizimit të PTK’së. Pret që Qeveria ta bëjë të mundur kalimin e pronësisë së 75 % të aksioneve.

Lajme

07/10/2013 08:30

Kuvendi i Kosovës ka dështuar disa herë deri tash të marrë një vendim në lidhje me shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Muaj më parë, një Komision Qeveritar i caktuar për privatizimin e shumicës së aksioneve të PTK’së ishte përcaktuar për Konzorciumin ‘Axos & Najafi’, si fitues të garës.

Por, gjërat u përkeqësuan kur vendimi për kalimin e aksioneve në duart e këtij Konzorciumi nuk kaloi në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria nuk i kishte të garantuar votat për ta kaluar vendimin e Komisionit Qeveritar, që do ta bënte pronar të shumicës së aksioneve të PTK’së “Axos & Najafi”.

Opozita, në anën tjetër, formoi një Komision Hetimor për të hetuar shitjen e PTK’së, me qëllim prolongimin, e në rastin më të mirë për të, dështimin e procesit të privatizimit të PTK’së.

Tani çështja ka mbetur pezull.

Drejtori i Konzorciumit “Axos & Najafi”, Robert Woog, në një intervistë për lajmi.net thotë se është i shqetësuar me vonesat që po shfaqen në kalimin e pronësisë së kësaj ndërmarrje tek kompania e tij.

“Absolutisht, ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për vonesat e mëtejshme, veçanërisht në aspektin e në rënien e performancës financiare të PTK’së dhe për vendimet që janë duke u bërë pa u pyetur fare pala jonë, për të ditur se a janë këto ndryshme në përputhje me planin e ofruar nga shitësi mbi bazën e të cilës është bazuar oferta”.

“Ne dyshojmë se do të arrijmë që të nënshkruajmë të gjitha dokumentet formale deri më datën 21 tetor, siç ishte planifikuar, në mënyrë që sa më shpejt të mbyllet transaksioni, dhe të fillojnë investimet në kuadro dhe rrjetin e PTK’së, për të përmirësuar shërbimet ekzistuese dhe për të krijuar shërbime të reja për popullin e Kosovës”.

Robert Woog thotë se Konzorciumi është në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë e Kosovës, nga e cila kërkon mbështetje të fortë.

“Ne kemi folur së fundmi me përfaqësuesit institucionalë të Kosovës, në mënyrë që të kemi një mbështetje të fortë ndaj propozimit tonë”.

“Procesi i privatizimit deri më tani ka qenë relativisht korrekt dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, proceset e fundit politike e kanë lëvizur pak jashtë rrjedhave”, thotë Woog për lajmi.net.

Në lidhje me situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, rreth kësaj çështje, Robert Woog thotë se nuk e di edhe sa kohë do të marrë kjo punë.

“Në nuk kemi qenë mjaftë mirë të informuar lidhur me planet e tyre, kështu që nuk dimë se sa do të marrë kohë kjo vonesë. Por, në bazë të raportimeve, mendojmë se kjo temë është dashur të zgjidhet në seancat e shumta të mbajtura në Kuvendin e Kosovës”.

“Përderisa nuk është marrë ende një vendim, kjo tregon qartë se nuk do të ketë zgjidhje të problemit deri më datën e caktuar. Ne sinqerisht besojmë se Qeveria do të mund ta zgjidhë situatën dhe të përmbushë afatin kohor që e kanë krijuar”.

“Komuniteti i investitorëve ndërkombëtarë dhe të gjithë diplomatët janë duke e vëzhguar nga afër procesin e privatizimit, që, sipas tyre, është një barometër se si Kosova do t’i trajtojë investitorët e huaj”.

“Në rast se do ketë ende vonesa dhe pasiguri, procesi i privatizimit të PTK’së do të rezultojë me të meta të mëdha për të ardhmen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit të Bashkimin Europian”, thotë Robert Woog.