AVONET kërkon të ndalet presioni politik ndaj Gjykatës Kushtetuese

Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET, ka kërkuar urgjentisht ndërprerjen e presioneve mbi Gjykatën Kushtetuese, nga ana e politikanëve të ndryshëm të cilët po vazhdojnë të japin deklarata mbi vendimin e mundshëm të gjykatës.

Lajme

26/07/2014 18:00

Në një reagim të rrjetit të OJQ-ve, AVONET, thuhet se “Liderë politikë ditëve të fundit kanë dhënë deklarata që bëjnë presion mbi Gjykatën Kushtetuese dhe procedurën demokratike dhe kushtetuese që po përpiqen të paragjykojnë veprimtarinë e tyre. Këto deklarata krijojnë dyshime serioze për përkushtimin e tyre ndaj shtetit të së drejtës, shtet ku jo politikanët por institucionet e specializuara dhe të pavarura interpretojnë dhe vendosin mbi dilemat juridike që janë evidente në të gjitha shoqëritë demokratike. Po ashtu, këto deklarata krijojnë mëdyshje tek zotimi i liderëve politik për sundim të ligjit”. 

Sipas tyre, liderët politikë në Kosovë kanë ndërtuar një proces kredibil përmes zgjedhjeve të 8 qershorit. 

“Është qenësore që arritjet në këtë rast të mos cenohen përmes mesazheve që sinjalizojnë vullnetin për të shmangur rrugën institucionale të zgjidhjes së mospajtimeve politike”, vijon reagimi i AVONET. 

Tutje në reagim thuhet se Gjykata Kushtetuese e ka dëshmuar pavarësinë dhe kredibilitetin e vetë. 

“Gjyqtarët që shërbejnë në këtë piedestal të demokracisë janë votuar nga të gjitha partitë politike, përderisa në rastin e fundit gjyqtari raportues është caktuar njëri prej tre gjyqtarëve ndërkombëtar të kësaj Gjykate”, theksohet në reagim. 

AVONET kërkojnë që asnjë aktor politik të mos ndërhyj në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese si dhe mos të bëhen deklarata që synojnë cenimin e procesit demokratik dhe njollosin imazhin e këtij institucioni duke paragjykuar vendimet e tyre. 

AVONET i bashkohet deklaratës së ambasadores amerikane që duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të vazhduar më tej në kuadër të procedurave demokratike për konstituimin e Kuvendit të Republikës. 

Po ashtu AVONET kërkon që këto institucione të vijojnë punën e tyre me rigorozitet dhe ne bazë të ligjit si dhe të mos ndikohen nga presionet që vijnë nga jashtë.