Avokati i Tahirit: Kërkesa e Prokurorisë e pabazuar në ligj dhe pa prova

Avokati i deputetit Saimir Tahiri kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë për marrjen e autorizimit për arrestimin e tij, jo vetëm si të pa argumentuar në prova dhe indicie, por as të bazuar në Kushtetutë dhe ligj.

Lajme

21/10/2017 11:56

“Kërkesa që i drejtohet organit të Kuvendit për marrjen e autorizimit për lejimin e arrestit të një anëtari të Parlamentit, ka një kontekst të ri në raport me ndryshimet kushtetuese. Imuniteti parlamentar është një çështje që është ngritur në një nivel tjetër për t’i dhënë garanci të mëdha deputetit në rast abuzimi nga pushtetet e tjera. Me ndryshimet e reja ligjore, Prokuroria është e detyruar në bazë të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, që flet për autorizimin, ka përcaktuar saktë se si bëhet kërkesa që paraqitet dhe duhet të shoqërohet me provat që e mbështesin. Kërkesa e Prokurorisë nuk ka asnjë provë, siç e kërkon Kodi”, deklaroi avokati Artan Hajdari.

Sipas Hajdarit, prokuroria nuk ka paraqitur as prova dhe të dhënat e paraqitura prej saj nuk mund të përbëjnë as indicie.

“Nuk përbejnë karakterin e një dyshimi të arsyeshëm. Ato nuk përbëjnë asnjë indicie. Nuk mund të akuzosh një person e të nisesh nga një aksion në itali, por duhet të provohet”, u shpreh ai.

Dy provat kryesore që e bazon Prokuroria kërkesën e saj për heqjen e imunitetit të Tahirit është akti i shitjes së makinës dhe dyshimi se ish-ministri ka udhëtuar me të akuzuarit me të njëjtin mjet. Avokati Hajdari kundërshtoi edhe këto.

“Dy prova ka përmendur Prokuroria; një akt, që është kontrata e shitjes të makinës, që nuk ka vlerë për këtë proces, por ka vlerë vetëm për palët dhe është çështje civile dhe jo penale dhe e dyta, që makina është përdorur nga ana deputetit Tahiri që ka udhëtuar me personat e akuzuar. Kjo është një tymnajë. Sistemi TIMS nuk provon që deputeti në fjalë ka udhëtuar me atë person, që thotë Prokuroria dhe aq më tëper nuk ka udhëtuar me persona të tjerë, sepse nuk ka ndodhur”, tha Hajdari.

Pala mbrojtëse e Tahirit thotë se ka përkthyer të gjithë materialin prej 460 faqesh të drejtësisë italiane dhe në këtë material nuk ka asnjë indicie që tregon lidhje direkte, indirekte, aksidentale apo dyshime që lidhin ish-ministrin e Brendshëm me grupin kriminal në fjalë./TopChannel