Avokati i Popullit: Prokuroria e dështuar po më heton fshehurazi

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, sot ka qenë shumë i ashpër me gjyqësorin dhe prokurorinë e Kosovës. Ai ka akuzuar këta të fundit se po e hetojnë fshehurazi. 

Lajme

29/12/2014 14:48

Avokati i Popullit, ka thënë e Prishtinës hap raste hetimi pa asnjë fakt dhe në mënyrë anonime kundër institucioneve publike. E ky reagim i ashpër i Avokatit të Popullit, i paparë deri tani, duket se vjen më shumë nga halli me vetën e tij, se sa për ata që është i thirrur të avokoj. 

Kurteshi ka drejtuar gishtin te Prokuroria e Prishtinës, duke përmendur me emër e mbiemër personin që hap hetime të kundërligjshme, gjë që më parë asnjëherë nuk e ka bërë, edhe pse, nëse pretendimi i tij është i vërtetë, ai me siguri se nuk është i pari që është përballur me një padrejtësi të tillë. 

“Këtë vit e kemi vërejtur një dështim të plotë të gjyqësorit të Kosovës. Reformat e bëra në gjyqësor tani e dy vite apo tri vite po dëshmohen krejt të pavlefshme. Kur them dështimi, mendoj edhe në gjykatat edhe në Prokurori, në të gjitha nivelet duke filluar nga Gjykata Kushtetuese”. 

“Prokuroria nuk është më mirë se gjykatat, është në gjendje të njëjtë, në Prokurorinë e Kosovës, e me theks të veçantë tash po e përmendi, në Prishtinë të udhëhequr nga zotëri Imer Beka hapen raste hetimi kundër institucioneve publike në mënyrë anonime, pa asnjë fakt, pa asnjë bazë, hetime që zgjasin jashtë çdo afati ligjor, pa dhënë asnjë rezultat, pa treguar fare bazën e hetimit, pa nxjerrë kurrfarë të dhënash dhe ato janë hetime që nuk mund të përfundojnë. Një hetim është hapur, ka dy vite e gjysmë, kundër Institucionit të Avokatit të Popullit dhe natyrisht që Prokuroria shtetërore edhe e Prishtinës, janë të interesuara ta mbajnë të fshehur”, ka thënë Kurteshi. 

Ati tutje tha se si rrjedhojë e dështimit të gjyqësorit në vend po krijohet gjykata speciale. 

“Faji më i rëndë për dështimin e gjyqësorit ku nuk ka asnjë arsyetim të vetëm, ne i kemi edhe statistikat, është krijimi i gjykatës speciale. Krijimi i gjykatës speciale për Kosovën është thjesht rezultat i dështimit të plotë të gjyqësorit të Republikës së Kosovës. Këta gjyqtarë po them sidomos krerët as nuk kanë guxim, as mundësi, as dije për të udhëhequr një gjyqësor dhe këtë po e dëshmojnë. Dhe ne kësaj i themi ‘një qen i keq ta bjen ujkun në torishtë’!”, tha ai. 

Kurteshi theksoi edhe se institucionet e shtetit po e shkelin ligjin dhe Kushtetutën me presion të ndërkombëtarëve duke mos bërë ballë t’i kundërshtojnë ato. 

Ndërkaq, si arritjen më të madhe të këtij institucioni, Kurteshi e ceku gjetjen e dokumenteve të punëve përgatitore për Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të cilat sipas tij ishin kërkuar me vite dhe janë gjetur në zyrën e kryeministrit të Kosovës. 

Ai tha se këto dokumente i janë dorëzuar Arkivit Shtetëror të Kosovës dhe se shumë shpejt do të bëhen të gatshme për publikun.