Avokati i Popullit kërkon çarmatosjen e nxënësve

Avokati i Popullit ka apeluar te organet kompetente të sigurisë, që të garantojnë jetën e personave brenda institucioneve arsimore dhe të mos lejojnë në shkolla nxënës të armatosur. Ky institucion e sheh vrasjen e sotme në Mitrovicë si shenjë alarmuese.

Lajme

28/01/2014 15:03

Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimin e thellë për vrasjen e nxënësit në Mitrovicë. Ky institucion e sheh këtë ngjarje si alarm të jashtëzakonshëm për të gjitha institucionet arsimore dhe të sigurisë, dhe kërkon që të merren masa urgjente për të parandaluar çdo vepër që cenon apo rrezikon jetën nëpër shkollat e Kosovës.

“Avokati i Popullit me shqetësim të thellë u informua për vrasjen e nxënësit në hapësirat e Shkollës së Mesme Teknike në Mitrovicë, duke shprehur keqardhjen dhe dhembjen e thellë për humbjen e jetës së një të riu”.

“Vrasja e sotme e nxënësit në Mitrovicë, nga bashkëmoshatari dhe bashkënxënësi i po asaj shkolle, brenda hapësirës së shkollës, është ngjarje tragjike dhe e dhembshme, që duhet të shërbejë si alarm i jashtëzakonshëm për të gjitha institucionet kompetente arsimore dhe të sigurisë në vend, për ndërmarrjen e masave  urgjente për parandalimin e çdo vepre që cenon dhe rrezikon jetën dhe mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor në shkollat e Republikës së Kosovës”.

Avokati i Popullit bën thirrje tek institucionet kompetente që çështjen e sigurisë ta marrin shumë seriozisht, në mënyrë që të parandalohen raste të tilla.

“Avokati i Popullit u bën thirrje të gjitha institucioneve kompetente në Republikën e Kosovës, Ministrisë së Arsimit, drejtorive komunale të arsimit, menaxhmentit të shkollave, organeve të rendit e sigurisë, që të angazhohen seriozisht, duke konkretizuar veprimet dhe përgjegjësitë institucionale me emër e mbiemër, në parandalimin e rasteve të tilla, duke rritur intensitetin dhe seriozitetin e ndjekjes, hetimit të rasteve dhe nxjerrjen e kryerësve të veprave para drejtësisë”.

“Avokati i Popullit ripërsërit kërkesën, për të gjitha institucionet përgjegjëse dhe kompetente në Republikën e Kosovës, për ashpërsimin e masave kundër armëmbajtjes pa leje në tërë vendin, veprim të cilin institucionet shtetërore kompetente të Republikës së Kosovës duhet ta konsiderojnë si veprim urgjent dhe të domosdoshëm”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Avokati i Popullit.