Avokati flet për aktakuzën ndaj ‘Tarkan’-it

Naim Rudari, avokat i policit, Avni Berisha (Tarkani) tha për KALLXO.com se nuk janë njoftuar nga ana e prokurorisë për ngritje të aktakuzës.

Lajme

23/05/2018 12:40

Në një bisedë telefonike, Rudari tregoi se mund të ketë pasur probleme me postë, ndërsa theksoi se as ai e as i mbrojturi i tij nuk kanë marrë ndonjë kopje të aktakuzës së ngritur ndaj ‘Tarkan’-it.

Më herët, u raportua për ngritjen e aktakuzës ndaj policit Avni Berisha, si i dyshuar për sulmin fizik ndaj ish drejtorit të Vala-s, Agron Mustafa, në dhjetor të vitit të kaluar, në Prishtinë.

“Me të vërtetë ne nuk jemi njoftuar për aktakuzë. Nuk kemi marrë asnjë kopje, nuk na kanë njoftuar prokuroria zyrtarisht në lidhje më aktakuzë dhe për këtë arsye nuk mund ta komentoj atë. Deri më tani mund të ju them se nuk jemi njoftuar, ndoshta ka pasur ndonjë ngatërresë me postë, as unë as Avniu nuk jemi njoftu, po presim tash nëse marrim diçka ju njoftojmë”, tha Rudari.

Ish- drejtori i ‘Valës’, Agron Mustafa ishte sulmuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë.

Të përfshirë në rastin e sulmit ndaj Mustafës dyshohet se kanë qenë shefi i krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti, dhe një polic tjetër Avni Berisha i njohur si ‘Tarkani’.