Avokati e lëshon sallën, ndërpritet seanca e gjykimit për marrje ryshfeti

Gjykimi i zyrtarëve të AKP-së, Fevzi Hajdari e Taulant Tahirsylaj, të cilët akuzohen për keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti, është ndërprerë për shkak se njëri avokat e lëshoi sallën.

Lajme

13/03/2018 19:35

Pasi që klienti i tij Fevzi Hajdari e përfundoi marrjen në pyetje të të dëmtuarit Ramush Misini, avokati Ramë Gashi bëri vërejtje në drejtim të trupit gjykues me arsyetimin se të njëjtit gjatë marrjes në pyetje të të dëmtuarit në procesverbal kanë konstatuar komentet të cilat i ka dhënë i dëmtuari në raport me pyetjet të cilat i ishin parashtruar nga i mbrojturi i tij.

Sipas avokatit, i dëmtuari është dashur të përgjigjet vetëm me “po” ose “jo” dhe se kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra nuk është dashur që ta lejojë të dëmtuarin të bëjë komente e aq më pak që ato komente t’i evidentojë në procesverbal.

“Dëshmitari nuk mund të bëjë komente në pyetje të të pandehurit dhe mbrojtja vlerëson se gjykata nuk është dashur t’i japë të drejtë dëshmitarit duke u pajtuar publikisht dhe konstatuar ky fakt ose ky komentim i dëshmitarit”, tha avokati Ramë Gashi në vërejtjen të cilën kërkoi që të evidentohej në procesverbal.

Por, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, tha se ai nuk i ka evidentuar ato komente në procesverbal ndërsa deklaroi se ai edhe publikisht bashkëndjen me dhimbjet të cilat mund t’i ketë përjetuar djali i të dëmtuarit lidhur me rastin në fjalë.

Në lidhje me këtë deklarim të kryetarit të trupit gjykues nuk u pajtua avokati Ramë Gashi, i cili reagoi duke kërkuar që të ndërpritej seanca pasi që sipas tij kryetari i trupit gjykues ishte i lodhur dhe i tensionuar nga seancat e kaluara.

“Je i lodhur. Unë jam i befasuar me qëndrimin tuaj. Unë kërkoj me u ndërpre seanca, jam shumë i habitur. Mua më vjen keq por unë nuk mundem me vazhdu, nëse jo atëherë më lejoni të largohem sepse është situatë e tensionuar. Nuk është në rregull. Unë po ju propozoj dhe po ju lus që ta ndërpreni pasi që edhe koha ka kaluar. Me lejen tuaj unë kërkoj të largohem”, tha në reagimin e tij avokati Ramë Gashi.

Pas kësaj, meqë avokati Ramë Gashi kërkoi që ta lirojë sallën, gjyqtari Beqir Kalludra e ndërpreu shqyrtimin gjyqësor dhe me pajtimin e palëve seanca e radhës u vendos të mbahet nesër.

Gjatë kësaj seance reagime dhe pakënaqësi shprehu edhe prokurorja e rastit Dulina Hamiti, e cila kërkoi nga kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra që ta evidentonte në procesverbal se prokurorja kishte vërejtje për mosfillimin e seancës me kohë, gjë të cilën gjyqtari Beqir Kalludra nuk e evidentoi në procesverbal por u kërkoi falje palëve për vonesë duke deklaruar se ai së bashku me anëtaret e tjerë të trupit gjykues deri para disa çastesh kishte qenë në një shqyrtim tjetër gjyqësor dhe kjo kishte qenë arsyeja se pse seanca nuk ka filluar me kohë.

Në këtë shqyrtim gjyqësor, i cili ka filluar rishtazi pasi që Gjykata e Apelit ka vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim, të akuzuarit u deklaruan edhe njëherë rreth fajësisë.

Ata thanë se ndihen të pafajshëm në lidhje me veprat të cilat u vihen në barrë.

Kurse prokurorja e çështjes, Dulina Hamiti, në fjalën hyrëse kërkoi nga trupi gjykues që të administrojë të gjitha provat të cilat janë propozuar në aktin akuzues dhe që janë administruar gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor në këtë çështje penale.

Sipas prokurores, me administrimin e këtyre provave të propozuara do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve për veprat penale për të cilat akuzohen.

Ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve, avokati Ramë Gashi dhe Behar Ejupi, deklaruan se qëndrojnë pranë fjalës hyrëse të paraqitur gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor.

Të dëmtuarin Ramush Misini e mori në pyetje vetë i akuzuari Fevzi Hajdari, i cili kërkoi të dinte se çfarë raporte kishte me Agim Misinin dhe sa herë kishte shkuar së bashku me të në shtëpi të të akuzuarit.

Për çka i dëmtuari tha se ai Agim Misinin e kishte mik por që asnjëherë nuk kishte shkuar me të, te shtëpia e të akuzuarit.

Gjatë përgjigjes në pyetjet e parashtruara nga i akuzuari Fevzi Hajdari, i dëmtuari mohoi të ketë pasur më shumë se një pronar të pronës, e cila është objekt i aktakuzës, për të cilën tha se i vetmi pronar është djali i tij, Elbasan Misini.

Tutje i akuzuari e pyeti të dëmtuarin se sa herë kishte qenë ai në shtëpi të tij dhe se a kishte pasur dijeni se në atë mënyrë kishte qenë duke e cenuar privatësinë e tij dhe të familjarëve të tij.

Gjë për të cilën i dëmtuari tha se ai nuk ka dijeni ta ketë shqetësuar dikë.

I akuzuari kërkoi të dinte nga dëshmitari pse ai edhe pasi që kishte qenë disa herë radhazi në shtëpinë e tij, përkundër faktit që nëna e tij i kishte thënë se ai ndodhej në Prishtinë dhe të mos paraqitej më atje, kishte vazhduar t’i shkonte në shtëpi e nuk e kishte vizituar në zyrë të tij.

“Nënës së tij s’i kam thënë asgjë përveç a është Fevziu? Nuk është e vërtetë, ajo më ka thënë se Fevziu është në Prishtinë por nuk më ka thënë të mos paraqitëm më”, u përgjigj i dëmtuari.

I dëmtuari po ashtu shtoi se ai vetëm pasi që gjykata kishte marrë vendim në lidhje me rastin, kishte mundur ta regjistronte pronën.

“Në aspektin e atyre maltretimeve, pa ardhur në këtë gjykim këtu unë nuk munda me e regjistru pronën. Vetëm mbasi është marrë vendimi i gjykimit unë e regjistrova pronën, përndryshe nuk kam pasur shancë”, tha dëshmitari, i cili deklaroi se si rezultat i këtyre “maltretimeve” djali i tij ka pësuar edhe probleme shëndetësore.

Pas kësaj kryetari i trupit gjykues u shpreh se bashkëndjen me djalin e të dëmtuarit, për çka pasoi reagimi i avokatit Ramë Gashi, gjë që bëri që bëri që të ndërpritej seanca.

Në korrik të vitit të kaluar, Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj ishin gjetur fajtorë dhe ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në akuzën për marrje ryshfeti.

Pas ankesave të mbrojtjes lidhur me dënimet, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj dy zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Fevzi Hajdari nga Gjykata Themelore e Prishtinës ishte dënuar me 2 vjet burgim, si dhe gjobë prej 25.000 eurove. Ndërsa Taulant Tahirsylaj ishte dënuar me 1 vit burg me kusht, nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda 2 vjetësh.

Gjykata gjithashtu i kishte shqiptuar Tahirsylajt një dënim me gjobë në shumën prej 8.000 eurove.

Aktakuza ngarkonte Hajdarin dhe Tahirsylajn se si zyrtarë në AKP-së me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, për t’ia shlyer borxhin në Administratën Tatimore të Kosovës prej 517 mijë eurove për pronën që dëshironte ta regjistronte Ramush Misini, i kishin kërkuar 20 mijë euro ryshfet këtij të fundit.

Të dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprën që rëndonte mbi ta.