Avni Kastrati me plot aleatë

Avni Kastrati i PDK’së do ta ketë mbështetjen e AAK’së, PD’së dhe PDTK’së në garën e balotazhit për Kryetar të Komunës së Mitrovicës kundëer Agim Bahtirit të AKR’së.

Lajme

23/11/2013 14:38

Partia Demokratike e Kosovës në Mitrovicë, ka arritur të shtunën marrëveshje koalicioni për garën e balotazhit që do të zhvillohet më 1 dhjetor për kryetar të Mitrovicës me Degët e AAK’së, PD’së dhe PDTK’së.

Në aktin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kandidati i PDK’së për kryetar komune, Avni Kastrati, është shprehur të jetë i bindur se kjo marrëveshje do të jetë në të mirë të të gjithë qytetarëve, raporton Kosovapress.

“Bashkë me partnerët e koalicionit do të punojmë që Mitrovica të avancojë interesat e përgjithshme të qytetarëve”, ka thënë Kastrati, duke shtuar se bashkëpunimi do të sjellë rezultat bindës për PDK-në dhe koalicionin më 1 dhjetor.

Shaban Dragaj (AAK) dhe Vesel Neziri (PD), potencuan se shumica e mitrovicasve kanë përkrahur PDK-në në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe shtuan se i janë bashkëngjitur kësaj partie duke mos dashur të mbeten vetëm spektatorë por të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në përgjithësi.

Edhe kryetari i PDTK-së, Eroll Zekerija, partia e të cilit ishte në bashkëqeverisje gjatë katër viteve të kaluara, ka thënë se shpreson në qeverisje të mirë edhe gjatë katër viteve të ardhme.

Nënshkrimi i marrëveshjes që ishte paraparë të ndodhë në orën 14:00, u shty për disa minuta, pasi kryetari i PD-së, Vesel Neziri, fillimisht nuk u pajtua me tekstin e marrëveshjes. Ai lëshoi sallën, për t’u kthyer më vonë dhe për të nënshkruar marrëveshjen, ndërsa sqaroi se ka pasur një gabim teknik në marrëveshje.

Sipas tij, pika që garanton të drejtat dhe liritë e besimtarëve nuk ka qenë e përpiluar mirë dhe pastaj ky gabim u korrigjua.

Ndryshe, në rundin e parë, kandidati i PDK-së, Avni Kastrati, për kryetar të Mitrovicës, ka marrë rreth 43% të votave të qytetarëve, përkundër kandidatit të AKR-së Agim Bahtiri që kishte rreth 22% të votave të qytetarëve.