Avdullah Hoti jep sinjale për krijimin e Qeverisë

Kandidati i LDK-së për Kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se do të bashkëpunojnë me forcat politike në Kuvend për formimin e Qeverisë, sapo të dështojë koalicioni PAN.

Lajme

28/06/2017 13:56

Hoti ka thënë, se Kosovës i duhet nj qeveri me duar të pastra dhe pro-evropiane, transmeton lajmi.net.

Më pas, ai ka dhënë detaje nga takimi që ka pasur me ambasadorin austriak në Kosovës.

Shkrimi i plotë:

“LDK do të jetë konstruktive në procesin e themelimit të institucioneve. E qartësova se ne do të bashkëpunojmë me forcat politike në Kuvend për të themeluar Qeverinë sapo të dështojë përpjekja e koalicionit PAN”, ka thënë Hoti, gjatë bisedës që ka pasur me ambasadorin austriak në Kosovë.

Kosovës i duhet Qeveri proevropiane, që siguron qeverisje me duar të pastra, ku sundon rendi dhe ligji, një qeveri që ruan rendin kushtetues të Kosovës dhe punon në konsolidimin e shtetësisë dhe promovimin e fqinjësisë së mirë. Këtë qeveri mund ta sigurojë vetëm LDK.

Sot takova Ambasadorin e Austrisë në Kosovë. Biseduam për bashkëpunimin e Ministrisë së Financave dhe Qeverinë e Austrisë në kuadër të programit të kredive të buta për financimin e projekteve komunale në vlerë prej 30 mil euro.

Marrëveshja është ratifikuar dhe do të zbatohet së shpejti. Biseduam edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë, pasi tani janë kryer negociatat me sukses”, ka shkruar Hoti në llogrinë e tij në Facebook. /Lajmi.net/