Autostrada “Ibrahim Rugova” ka nisur të prishet

Autostrada e kombit “Ibrahim Rugova” ende pa u bërë një vit nga dorëzimi i saj tek autoritetet e Kosovës, ka nisur të ketë prishje.

Lajme

29/09/2014 20:36

Prej Gjurgjicës deri në Prizren, shihen se kanë filluar asfaltime të reja në shumë pjesë të kësaj autostrade.

Madje, ka disa pjesë ku vetura mund të përballet me lëkundje të pakontrolluara për shkak se shtrimi i asfaltit nuk është bërë në mënyrë të duhur, raporton KTV.

Ndërkaq, zyrtarë në Ministrinë e Infrastrukturës kanë pranuar se pas dorëzimit kanë dalë disa probleme teknike, të cilat është duke i sanuar Bechtel Enka.

KTV-ja merr vesh se Bechtel Enka nuk është marrë me rregullimin e këtyre gabimeve, por për sanimin e tyre ka angazhuar kompani nga vendi.

Lahydin Myrtaj ka thënë se problemet mund të ndodhin pasi të përfundojë projekti në tërësi, ndërsa asfalti i shtruar keq do të rishtrohet.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që autostrada të jetë ndërtuar me shumë kujdes, po qe se ky projekt do të kishte edhe kompaninë mbikëqyrëse të projektit.

Sipas Myrtajt, brenda pak kohësh do të nisë edhe sanimi i rrëshqitjeve të dheut nëpër pjesë të ndryshme të saj, në mënyrë që autostrada të jetë e sigurt për dimër, transmeton Koha.net. Ai ka bërë të ditur se vjedhjet në autostradë po vazhdojnë të jenë evidente, pavarësisht zënies së disa hajnave nga policia.

Kjo autostradë i ka kushtuar buxhetit të varfër të vendit mbi 1 miliard euro, raporton KTV.