Autorët e së vërtetës për Kosovën

Doli, në pranverën e vitit 1999, që i kishim bërë llogaritë shumë mirë, për herë të parë, në fakt, qysh prej vitit 1912-të e këndej.

Lajme

25/03/2015 16:13

24 marsin e vitit 1999, apo, fillimin e finales së çlirimit të Kosovës me fushatën ajrore të Paktit NATO, e kemi shënuar në këtë 24 marsin e vitit 2015 thuaja njëlloj siç kemi bërë në marsin e vitit 2000, dhe në të gjitha vitet e mëpasme. Natyrisht, atëherë, fare pak kohë pas çlirimit të vendit, kujtimet kanë qenë ende të freskëta, mbase të gjithë kemi pasur më tepër vullnet, më shumë gatishmëri, kemi qenë më optimist për ardhmëninë tonë si popull. Bota ka qenë ndryshe, Evropa ka qenë tjetër, Ballkani ende ishte vatër krizash të rrezikshme për sigurinë e kësaj ane të kontinentit të vjetër.

Llogaritej, në atë vitin 2000, që shumë shpejt Kosova do të bëhet shtet i pavarur, që ne e dimë fare mirë çka duam si shqiptarët e Kosovës, që gjithsesi, do t’ia dimë si askush tjetër në historinë e re të Evropës, vlerën lirisë, vlerën shtetit që po krijohej, vlerën të qenit popull pro-amerikan dhe pro-evropian. Nuk kanë pasur zaten kund tjetër në një shtet perëndimor, më shumë flamuj të Amerikës, të Bashkimit Evropian, të shteteve më të mëdha evropiane, se tek ne, në Kosovë.

Doli, në pranverën e vitit 1999, që i kishim bërë llogaritë shumë mirë, për herë të parë, në fakt, qysh prej vitit 1912-të e këndej. Hesapet e mëparme, që të gjitha, na dolën të gabuara. Edhe kështu zaten mund të shpjegohet historia e Kosovës në Shekullin XX. Me punë llogarish, fitimesh dhe humbjesh.

Sidoqoftë, në vitet e nëntëdhjeta, kishim besuar dhe ishim organizuar për çlirimin e Kosovës dhe për bërjen e shtetit, dhe për vite me radhë, pakkush në Perëndim mendonte që do t’i arrinim qëllimet tona. E dinim shumë mirë që çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës nuk bëhet dot pa qenë të gatshëm të flijohemi për arritjen e këtyre qëllimeve. Po ashtu, e kemi ditur që partneriteti me Perëndimin është kusht pa të cilin nuk bën për shpëtimin dhe çlirimin tonë si popull, dhe për kodifikimin e vullnetit për të qenë zot të vetvetes në shtetin e Kosovës.

Ne i dhamë të gjithat për Kosovën, në ato vite, dhe atë stinën e çlirimit të Kosovës. Dhe çlirimi i Kosovës dhe shpëtimi i shqiptarëve të Kosovës, u bënë vlera politike dhe diplomatike të SHBA-ve, Evropës, e Perëndimit. Asgjë nuk mund ta vë në dyshim këtë të vërtetë. Ajo nuk mund të ndryshohet a të zëvendësohet me zhvillimet që pasuan në Ballkan, në Evropë dhe në Botë.

Por, poashtu, ne si Kosovë, si politikë dhe si shoqëri, nuk mund të jetojmë, këtë zaten e kemi kuptuar në masë të madhe, vetëm me ‘dividendën’ politike të vitit 1999. Ajo zaten është harxhuar në masë të madhe. Nuk jetohet dot nga e kaluara, apo, llogaritet saktë që e kaluara nuk është farë ‘lëndë djegëse’ që bënë të lëvizë ‘makinën’ e një vendi, në mënyrë që të ndodhë stabilizimi afatgjatë i një shteti dhe i një shoqërie.

Kemi tani, shumëçka që nuk kemi pasur në vitet e nëntëdhjeta, veçmas në vitin 1999. Zaten, në vitet e luftës, vlera jonë më e madhe ishte jeta që ofrohej për çlirimin e vendit.

Tash jemi me shtet, kemi institucione, jemi në proces të ndërtimit edhe të Forcave të Armatosura të Kosovës. Por duket që në ndërkohë, është ligështuar ai besimi jonë i madh që si komb, jemi në gjendje të bëjmë gjithçka për të dëshmuar që jemi të drejtë në politikë, dhe që kemi të drejtë të jemi të lirë, dhe të bëhemi me shtet. Nuk po i dimë t’i bëjmë si duhet hesapet tani, kur megjithatë është shumë më lehtë se sa që ka qenë gjashtëmbëdhjetë vjet më parë. Po ndodhë, jo rrallë, që më shumë besim në shtetin e Kosovës të tregojnë shtetet kryesore perëndimore, të cilat janë hisenikë të drejtpërdrejtë në përmbushjen e synimeve tona, se sa vetë ne.

U tha edhe më parë që Ballkani, Evropa dhe Bota kanë ndryshuar shumë. Nuk jemi më qendër e Botës, siç ishim asokohe, në vitin 1999. Mos u bëfshim kurrë më të tillë, do të duhej të shtohej këtu. Tash jemi ne autorët kryesorë të vërtetës për Kosovën, sepse ne jemi shtet, dhe ne kemi përgjegjësinë si një vend i lirë, që synon të bëhet pjesë e Paktit NATO dhe të BE-së. Këtë kurrë nuk duhet ta harrojmë. Dhe data e 24 marsit, është njëra prej ditëve më të mira kur duhet ta rikujtojmë këtë fakt.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)