Autizmi politik në Kosovë

Aftësia e munguar e politikës shqiptare për të marrë vesh se çka po ndodhë në Evropë dhe në rajon, apo, për t’iu përshtatur këtyre zhvillimeve, ka krijuar raport të disfavorshëm në relacionet edhe ashtu problematike me Serbinë.

Lajme

12/01/2017 14:45

Një diplomat i shquar evropian, humbi durimin dhe u detyrua të flasë fare hapur me kryeprotagonistët e politikës shqiptare, në fillim të vitit 1996, apo pak kohë pas Marrëveshjes së Dayton-it  (nëntor, 1995), e cila i dha fund luftës së Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe e cila, me mos-trajtimin e çështjes së Kosovës i hapi udhë luftës që do të pasonte në vitet 1998, 1999 në Kosovë.

Ky diplomat, pasiqë dëgjoi dhjetëra herë nga politikanët shqiptarë togfjalëshin ‘Bashkësia Ndërkombëtare’  (e cila do të duhej më në fund ta zgjidhte çështjen e Kosovës), iu drejtua atyre me një qëndrim të prerë: ‘Miq, nuk ka diçka të tillë. ‘Bashkësia Ndërkombëtare’ është nocion përshkrues i kotë, e jo katergori politike vendimmarrëse. Nëse dëshironi ta ndryshoni fatin e juaj dhe ta zgjidhni çështjen e Kosovës, duhet t’i keni me vete shtetet e veçanta perëndimore, në radhë të parë SHBA-në. Pa këtë gjë nuk mund të shpëtoni dot…’.

Mund ta marrim me mend se çka do të thoshte i njejti politikan i njohur evropian (që është gjallë por nuk është më aktiv), kur do t’i dëgjonte pandërprerë politikanët tonë  (së paku shumicën dërrmuese të tyre), të cilët ditë e natë flasin për obligimet që i ka Bashkimi Evropian ndaj Kosovës dhe rajonit.

Natyrisht, nuk ke si të krahasosh konceptin e ‘Bashkësisë Ndërkombëtare’ me atë të Bashkimit Evropian, por në realitet, ky politikani që shquhet me sinqeritetin e tij, me siguri do të ju thoshte politikanëve shqiptarë të Kosovës që BE-je e sotme, ka pakçka të përbashkët me BE-në e vetëm para disa viteve, e thuaja nuk ka lidhje me atë BE që pati një rol të madh në zhvillimet e pasluftës në Kosovë dhe në rajon.

Dihet se çfarë pati bërë në ato vite Javier Solana, si Kryediplomati i BE-së, megjithëse ai ka pasë një mandat formal që ka qenë më i kufizuar se ai i Catherine Ashton-it, ose tash e Federica Mogherin-it.

Nuk ka dyshim që tek ne, nuk ka mbërri akoma lajmi që BE-ja është në telashe të mëdha të brendshme dhe që tek do të mirret vesh në të ardhmen se cilat do të jenë marrëdhëniet në mes të Adminstratës së Donald Trump-it, Presidentit të ri amerikan dhe Evropës.

BE-ja që prej Brexit-it e këndej, ka hyrë në një tranzicion që shquhet shumë më tepër me oferta dhe mundësi të rrezikshme se sa me burime të shpresës.

Perëndimi në përgjithësi dhe Evropa në veçanti, që deri pak kohë më parë shquheshin mbi të gjitha me aftësinë e parashikimit të rrjedhave politike dhe ekonomike në Perëndim dhe në Botë, tani kanë mbërri në situatë kur thuaja askush nuk e merr guximin që të parashohë se çka do të bëhet me BE-në tash e tutje, veçmas nëse edhe në Francë ngadhjen popullizmi në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Derisa në Beograd mbizotëron politika që shquhet mbi të gjitha me gatishmërinë për t’iu përshtatur menjëherë rrethanave të reja ndërkombëtare për t’i shfrytëzuar ato për promovimin e interesave të veta, (kalimthi këtu mund të thuhet që nuk do të kishte fare mur në Mitrovicë, në rrethanat e mëparshme ndërkombëtare), në Prishtinë është në fuqi qëndrimi politik që shquhet me mungesën e qasjes në zhvillimet e tanishme ndërkombëtare. Kemi të bëjmë, për fat të keq, për një lloj të autizmit politik, i cili sjell dëme të mëdha politikës dhe vendit.

Teoria e Evolucionit e Charles Darwin-it, mbi të gjitha bazohet në cilësinë e adaptimit që e kanë pasë gjallesat që kanë mbijetuar dhe nuk janë zhdukur.

Në historinë tonë të re, pikërisht adaptimi i politikës shqiptare ndaj zhvillimeve në Evropë dhe në Botë, pas rrënimit të Murit të Berlinit, dhe kundërshtimi i prerë i Serbisë për ta kuptuar që Rendi ndërkombëtarë i ‘Luftës së Ftohtë’ mori fund, krijuan situatën e volitshme për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Aftësia e munguar e tanishme e politikës shqiptare për të marrë vesh se çka po ndodhë në Botë, në Evropë dhe në rajon, apo, për t’iu përshtatur këtyre zhvillimeve të reja, tashmë ka krijuar raport të disfavorshëm në relacionet edhe ashtu problematike me Serbinë.

Natyrisht, Kosova nuk ka alternativë apo nuk ka hapësirë manovruese si Serbia, e cila vazhdimisht përdorë kartën ruse në raportet me Brukselin. Por kjo nuk do të thotë që politika kosovare dhe politika shqiptare në përgjithësi, nuk kanë mundësi që të gjinden si duhet në këto kohëra të sprovave të mëdha për ne dhe Evropën.