Austria e akuzon për terrorizëm një 14-vjeçar

Prokuroria austriak e ka akuzuar një 14 vjeçar për terrorizëm, pasi i njëjti kishte shkarkuar informacione në internet se si ndërtohet bomba dhe kishte kontaktuar me militantët që e përkrahin “Shtetin Islamik” në Siri.

Bota

31/03/2015 11:42

Djaloshi i lindur në Austri, por nga një familje turke, është arrestuar për herë të dytë në muajin janar me dyshimin e aktiviteteve që kanë lidhje me terrorizmin, njoftoi të martën prokuroria austriake, raporton Reuters.

Autoritetet i bazojnë akuzat e tyre në të dhënat e gjetura edhe në pajisjet e konfiskuara në banesën e prindërve të tij. “Në ‘PlayStation’ të tij ëshët gjetur edhe DVD-ja me planet për ndërtimin bombës”, tha një zëdhënëse e Prokurorisë në Sankt Poelten.

Më shumë se 170 veta kanë shkuar nga Austria në Lindje të Mesme, disa prej të cilëve janë vrarë në luftime përkrah terroristëve të “Shtetit Islamik” në Siri dhe Irak. Ndërsa frika e sulmeve terroriste në Europë është e lartë, veçanërisht pasi sulmit që la të vrarë 17 persona në fillim të këtij viti.